Izraeli ka konfirmuar se ka kryer një “sulm ajror të saktë” në kryeqytetin e Katarit, Doha, duke pasur si shënjestër liderët e Hamasit. Katari e dënoi sulmin si shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe tha se u godit një objekt banimi ku qëndronin disa anëtarë të byrosë politike të Hamasit. “Nuk do ta tolerojmë këtë sjellje të papërgjegjshme të Izraelit dhe shkeljen e vazhdueshme të sigurisë në rajon”, tha Ministria e Punëve të Jashtme e Katarit.

Dy burime nga Hamasi deklaruan se zyrtarët e grupit që marrin pjesë në negociatat për armëpushim i kanë mbijetuar sulmit. Zyrtarë izraelitë thanë se objektiv ishin drejtuesit e Hamasit, përfshirë Khalil al-Haya, ish-shefi i Gazës dhe kryenegociatori. “Kjo ishte një operacion tërësisht i pavarur izraelit. Izraeli e nisi, Izraeli e zbatoi dhe Izraeli mban përgjegjësinë e plotë”, deklaroi kryeministri Benjamin Netanyahu.

Dëshmitarë thanë se në Doha janë dëgjuar disa shpërthime, ndërsa re të zeza tymi u ngritën nga drejtimi i një pompe karburanti. Pranë saj ndodhej një kompleks i vogël banimi, i cili që nga fillimi i konfliktit në Gaza ruhet 24 orë në ditë nga Garda Emire e Katarit. Izraeli ka vrarë një numër të madh liderësh politikë dhe ushtarakë të Hamasit që nga fillimi i luftës, por kjo është hera e parë që shënjestër bëhet Katari, ku po zhvillohen negociatat për armëpushim.

Ministria e Brendshme e Katarit konfirmoi se shpërthimet e dëgjuara në Doha kanë qenë të drejtuara ndaj një prej selive të banimit të Hamasit dhe shtoi se situata tashmë është nën kontroll.

Mgid