Kancelari gjerman Friedrich Merz premtoi sot mbështetje politike dhe financiare për planin e paqes në Gaza të presidentit amerikan Donald Trump.

“Mirëpresim planin e paqes në Gaza të paraqitur dje (e hënë) nga presidenti Trump”, tha Merz në një konferencë për shtyp në Berlin, duke shtuar se qeveria e tij ka qenë në kontakt të ngushtë me partnerët në lidhje me këtë iniciativë në javët e fundit.

“Pas pothuajse tre vitesh gjakderdhjeje, ky plan është shansi më i mirë deri më tani për t’i dhënë fund luftës. Fakti që Izraeli e mbështet këtë plan është hap i rëndësishëm përpara”, theksoi Merz.

“Tani (grupi palestinez) Hamasi duhet të bjerë dakord dhe të hapë rrugën për paqe. Ky është vërtet hapi i fundit që është i nevojshëm dhe unë i bëj thirrje shprehimisht Hamasit të bjerë dakord me planin në mënyrë që rruga drejt paqes në rajon të jetë e qartë”, shtoi ai.

Udhëheqësi gjerman falënderoi Trumpin, aktorët kryesorë rajonalë dhe shtetet arabe për përfshirjen e tyre në plan dhe mbështetjen e premtuar për zbatimin e tij.

Merz theksoi se Gjermania është gjithashtu e gatshme të mbështesë këtë iniciativë dhe riafirmoi angazhimin e Berlinit për një zgjidhje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez.

“Nëse arrihet marrëveshje, Gjermania është e gatshme të kontribuojë në zbatimin e planit. Kjo përfshin mbështetje politike, mbështetje humanitare dhe rindërtimin e rajonit”, tha Merz.

“Ne e parashikojmë këtë si një punë drejt një Lindjeje të Mesme ku izraelitët dhe palestinezët mund të jetojnë në paqe dhe siguri në dy shtete”, shtoi kancelari gjerman.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com