Kur përmendet Londra dhe Mbretëria Britanike, mendja të shkon menjëherë te Buckingham Palace apo St. James’s Palace – rezidenca simbol të familjes mbretërore britanike. Por pas një perdeje luksi dhe diskrecioni, një tjetër familje mbretërore ka nisur të krijojë në heshtje një perandori të pasurive të paluajtshme në kryeqytetin britanik: Familja Mbretërore e Katarit, dinastia Al-Thani, përcjell TV21.

Një mbretëri paralele në Mayfair
Në zemër të Londrës, konkretisht në zonën elitare të Mayfair, ndikimi i Katarit është bërë i pakontestueshëm. Aq i madh është numri i pronave të blera nga anëtarët e familjes Al-Thani, sa zona tashmë është pagëzuar me emrin “Doha e vogël”. Sipas raportimeve nga GB News, familja zotëron afërsisht 25% të kësaj lagjeje luksoze, përfshirë edhe rezidencën private më të shtrenjtë në Britani, vlerësuar me 400 milionë paund, që në vitin 2015.

Ishte pikërisht kjo vilë madhështore prej 44,000 metrash katrorë që thuhet se e bëri Mbretëreshën Elizabeth II të shprehej me ironi se “e bën Buckingham Palace të duket paksa i mërzitshëm”.

Nga Harrods tek The Shard – portofol që sfidojnë monarkinë britanike
Por investimet e Katarit në Londër nuk ndalen tek rezidencat. Përmes Qatar Investment Authority, familja mbretërore e Katarit ka blerë markat më të njohura dhe ikonike britanike. Në vitin 2010, ata blenë Harrods, ndër dyqanet më luksoze në botë, ndërsa hotelet prestigjioze si The Berkeley, Claridge’s dhe The Connaught janë gjithashtu pjesë e perandorisë së tyre, të menaxhuara nga kompania Maybourne Hotels.

Në horizontin e Londrës, The Shard – ndërtesa më e lartë në Evropë – është 95% në pronësi të Katarit. Shteti i Gjirit ka gjithashtu aksione në Canary Wharf, 20% në Aeroportin Heathrow, si dhe 14.3% në zinxhirin britanik të supermarketeve Sainsbury’s.

Fuqi ekonomike në heshtje
Sipas të njëjtit raport, familja Al-Thani kontrollon rreth 1.8 milion metra katrorë pasuri të paluajtshme në kryeqytet – një shifër që tejkalon ndjeshëm atë të familjes mbretërore britanike, e cila zotëron shumicën e pallateve përmes Crown Estate, në emër të shtetit.

Dallimi është thelbësor: Prona britanike është e shtetit, ndërsa prona katariote është private. Kjo i jep familjes Al-Thani fleksibilitet, fuqi financiare dhe ndikim real në tregun e pasurive dhe të luksit në Londër.

Një monarki që po hesht, dhe një tjetër që po blen
Ndërsa Mbretëria e Bashkuar përpiqet të ruajë një profil më të matur dhe të kursyer përballë presionit publik dhe ekonomik, Katarit nuk i mungojnë as fondet, as ambicia. Me një vlerë të përbashkët pasurie që kap 2.4 miliardë paund, dhe një pasuri personale prej 1.6 miliardë vetëm për Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, familja mbretërore e Katarit është kthyer në një prej lojtarëve më të fuqishëm ekonomikë në metropolin britanik.

Një mesazh simbolik për të ardhmen
Në një kohë kur Britania po përballet me sfida ekonomike, ndërsa vendi lëviz drejt një modeli më të thjeshtë monarkik, dominimi i heshtur i Katarit në Londër është më shumë sesa një çështje e pronësisë së pasurive. Është një shenjë e ndikimit të ri global, ku fuqia nuk matet më me kurora e sceptër, por me akt pronësie, ndërtesa ikonike dhe aksione miliarda paundëshe.

Mgid