Shkruan: Merxhan Jakupi
Në dekadat e fundit, Bosnja është bërë epiqendra e turistëve nga shtetet e Lindjes dhe ato të Perëndimit në Ballkanin Perëndimor.
Sipas disa sondazheve, vetëm nga Turqia, vendet arabe dhe ato perëndimore, mbi një milion turistë e kanë vizituar vitin e kaluar. Fluksi më i madh i turistëve shkon në pjesën e Federatës, ndërsa shumë rrallë vizitohet Republika Srbska.
Ekspedita njëjavore që zhvillova muajin e fundit më ka lënë mbresa të forta dhe entuziazëm në këtë ish-republikë të federatës jugosllave.
Isha në qytetin e Srebrenicës, ku u shënua jubileu tridhjetëvjetor i gjenocidit nga forcat militare dhe barbare serbe, ku mbi shtatë mijë civilë u masakruan, u vranë dhe u dhunuan.
Në hyrje të varrezave ishte shkruar në gjuhën boshnjake: “OVDE ŽIVE MRTVI” (Këtu jetojnë të vdekurit).
Gjenocidi në Srebrenicë ngjan me Holokaustin e kryer gjatë Luftës së Dytë Botërore nga nazistët.
Qendra memoriale, me një sipërfaqe mbi 4300 metra katrorë, është shndërruar në Muze të Gjenocidit. Të gjitha viktimat janë identifikuar. Në një pankartë është shkruar: “Këtu jetojnë të vdekurit”, një mbishkrim që të kujton “Komedinë Hyjnore” të Dantes.
Në periudhën e ish-federatës jugosllave, boshnjakët e Bosnjës morën identitetin “mysliman”. Ky emërtim ishte një paradigmë boshe dhe jo parimore. Pas shpalljes së pavarësisë së Bosnjë dhe Hercegovinës, qytetarët myslimanë morën identitetin “boshnjak”.
Serbët dhe kroatët ishin kundër identitetit boshnjak. Këto dy etnitete kanë frikë për të ardhmen nga një hegjemonia dhe boshnjakizimi demografik.
Kudo që të shkosh në qytetet e Bosnjës, mund të takosh shqiptarë. Një gjakovar nga Sarajeva, i cili kishte butik në Bashçarshi, rrëfente se para luftës jetonin mbi 100 mijë shqiptarë. Pas luftës, një pjesë u larguan. Shqiptarët kishin ardhur kryesisht gjatë periudhës së ish-federatës jugosllave, shumica nga Kosova dhe Maqedonia. Shqiptarët nga Kosova kishin furra buke, ndërsa ata nga Maqedonia e Veriut kryesisht kanë pasur pastiçeri-ëmbëltore.
Gjeneratat e dytë dhe të treta që kanë lindur në Bosnje, janë integruar dhe asimiluar. Shqiptarët dhe boshnjakët kanë pasur lidhje krushqish. Shumë shqiptarë kanë marrë nuse nga Bosnja. Në dy periudha të Jugosllavisë, martesat e përziera dhe integrimi kanë qenë të zakonshme, kryesisht si rrjedhojë e përkatësisë së përbashkët fetare, pasi të dy popujt ishin myslimanë.
Shumë personalitete me origjinë shqiptare janë përfshirë në të gjitha fushat. Shqiptarët gëzojnë një imazh dhe reputacion të mirë.

JUGO-NOSTALGJIA!

I vetmi popull që ka jugo-nostalgji janë boshnjakët. Një profesor nga Universiteti i Sarajevës thekson se është e vërtetë që një pjesë e gjeneratës që është rritur dhe ka jetuar gjatë periudhës së federatës jugosllave ende vuajnë nga nostalgjia jugosllave. Profesori potencon se në periudhën e monarkisë dhe gjatë regjimit të Titos, boshnjakët kanë qenë qytetarë të rendit të dytë, ngjashëm si shqiptarët e Kosovës. Serbët kishin sunduar dhe kanë qenë në të gjitha institucionet, në politikë, ekonomi dhe fushat e tjera. Për shembull, në Radio-Televizionin e Sarajevës, nga 12 redaktorë, 8 ishin serbë, 2 kroatë dhe vetëm 2 boshnjakë.
Boshnjakët dhe shqiptarët, gjatë periudhës së dy shteteve jugosllave, nuk e kishin të drejtën e identiteti. Këta dy popuj kanë pasur të njëjtin fat dhe tragjedi. Ata kanë qenë të robëruar nga unitarizmi dhe hegjemonizmi serbomadh.Pas shpërbërjes së federatës jugosllave, të dy popujt fituan pavarësinë.
Në Banjallukë, kryeqytetin e Republikës Srpska, në bisedë me një qytetar serb, ai rrëfente: “Ne serbët morëm gjysmën e territorit, por ne serbët morëm pjesën më rurale dhe më të pa zhvilluar. Boshnjakët dhe minoriteti kroat në Federatë morën vendet urbane, qytetet më të industrializuara, Sarajevën, Tuzllën, Mostarin …”.
Zotëriu nga Banjalluka, rrëfente se vetëm Sarajeva ka një bruto prodhim sa e gjithë Republika Srpska. Sipas serbëve nuk ekziston kombi boshnjak. Sipas tij, qytetarët myslimanë të Bosnjës, para ardhjes së Perandorisë Osmane, kanë qenë serbë dhe pjesa e Hercegovinës kroatë. Këta serbë, për shkaqe pragmatike dhe privilegjesh e “tradhtuan kombin” duke u konvertuar në turq dhe arabë, siç shprehej ai. Në një qytet të Bosnjës gjendet një statujë e një nëne serbe, e cila në gjirin e saj mban një foshnje, ndërsa tjetrin, sipas përshkrimit, ia kanë marrë turqit. Serbët i kanë quajtur “tradhtarë të kombit” bashkëkombësit e tyre që u konvertuan në islam, do të thotë boshnjakët.
Identiteti fetar tek boshnjakët është koherent. Tek boshnjakët së pari vjen identiteti fetar dhe më pas identiteti kombëtar. Edhe pas shpalljes së pavarësisë, boshnjakët kanë krizë identiteti. Tek pjesa tradicionale , më shumë në fokus është identiteti fetar sesa ai kombëtar.
Boshnjakët me fanatizëm dhe mburje ruajnë trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore. Qytetet me identitet oriental, xhamitë, teqetë, hamamet, çarshitë me dyqane artizanale dhe lagjet me kalldrëme, janë pasuri dhe trashëgimi. Boshnjakët i kanë ruajtur këto kasaba me vlera universale, që i vizitojnë dhjetëra mijëra turistë nga Lindja dhe Perëndimi. Kur vizitoja këto kasaba, më dukej sikur isha në lagjet e qytetit tim, Tetovës.
Në Maqedoni, shumica e këtyre objekteve arkitektonike orientale dhe osmane janë masakruar dhe janë fshirë nga faqja e dheut. Në disa syresh në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore kanë fobi dhe komplekse, kinse këto xhami, teqe, hamame dhe çarshi me kalldrëme e dyqane i kanë ndërtuar sunduesit, armiqtë apo “hordhitë mongole”.
Se gjoja këto objekte arkitektonike orientale nuk janë pjesë e identitetit, pasurisë dhe trashëgimisë së kombit shqiptar. Kjo narrativë duket qesharake dhe naive. Shtrohet pyetja, cilat janë trashëgimitë kulturore dhe shpirtërore të popullit shqiptar? Trashëgimia kulturore dhe shpirtërore e kombit shqiptar janë të gjitha, kishat, manastiret, xhamitë, hamamet dhe çarshitë me dyqane e kalldrëme.

Mgid