Ish-ministri dhe figura publike Krenar Lloga ka reaguar ashpër përmes një deklarate publike, ku ngre shqetësimin për mungesën e policëve shqiptarë në ndërrimet e punës në Pikëkalimin Kufitar të Qafës së Thanës, në kufirin mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
“Ftoj vLEN-istët votues a funksioner, xhentelmen ose jo, të afrohen në Pikëkalimin Kufitar të Qafës së Thanës dhe të shohin se, në ndërrimin aktual, nuk ka as edhe një polic shqiptar nga ana jonë,” shkruan Lloga.
Ai thekson se në të gjitha ndërrimet, janë lënë vetëm 4-5 shqiptarë gjithësej, duke e cilësuar këtë si një situatë të papranueshme dhe të turpshme.
“Skuquni pak, nxihuni pak. Ku e lam, e ku na katandisët!” – përfundon ai mesazhin e tij, duke i bërë thirrje strukturave politike që të reflektojnë mbi përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore.
Deklarata e Llogës ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale dhe opinionin publik, duke rikthyer në vëmendje temën e barazisë dhe përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve në administratën shtetërore./TS