Shkruan:Analisti-Qani shabani.
Kosova po përballet me një situatë politike të pashembullt, ku institucionet kushtetuese janë kthyer në skenë manovrimesh, në vend që të funksionojnë si platforma përfaqësimi dhe stabiliteti. Procesi i konstituimit të Kuvendit, i ndodhur nën një klimë tensioni institucional dhe boshllëku qeverisës, ka treguar më shumë për mungesën e vizionit të klasës politike sesa për ndonjë zgjidhje afatgjatë të krizës aktuale.
Konstituimi i Kuvendit, ndonëse i rëndësishëm në aspektin formal, nuk u pasua nga ndonjë lëvizje konkrete për krijimin e një shumice të re qeverisëse. Në vend që ky hap të çonte drejt kthjellimit të situatës, ai krijoi më shumë paqartësi politike dhe prodhoi tensione të reja – në veçanti për shkak të dështimit për të zgjedhur nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, çka përbën detyrim kushtetues dhe komponent funksional të jetës institucionale.
Duhet theksuar se asgjë nuk është antikushtetuese në rast se Kuvendi zgjedh si nënkryetar një përfaqësues serb që e pranon rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe shtetësinë e saj. Në këtë rast konkret, kandidatura e Nenad Rashiqit – një politikan serb që në mënyrë të hapur ka njohur dhe pranuar institucionet e Republikës – duhet parë si mundësi për ta kthyer përfaqësimin e komunitetit serb në kuadër të legjitimitetit demokratik dhe integrimit institucional. Bllokimi i këtij procesi, jo për arsye juridike, por për kalkulime politike, është jo vetëm i dëmshëm, por edhe i rrezikshëm për funksionimin institucional.
Sot, Republika gjendet në një fazë ku askush nuk merr përgjegjësi LVV, nuk ka shumicë për qeverisje, pa një marveshje politike me ndonjë nga partitë opozitare, si rezulltat I kësaj paralize institucionale të gjithë mbajnë pozicione bllokuese. Nga njëra anë, qeveria në detyrë nuk shfaq as vullnet dhe as guxim për të ndërtuar një shumicë të re funksionale. Nga ana tjetër, opozita, në vend që të propozojë alternativë të qartë qeverisëse, bëhet pjesë e një loje institucionale që nuk i shërben zgjidhjes së krizës, por vetëm zgjatjes së saj artificiale.
Për më tepër, një aspekt gjithnjë e më shqetësues është prania e agjendave të huaja, që përmes ndikimeve të drejtpërdrejta apo të maskuara, kanë filluar të diktojnë sjelljen politike të të opozitës. Këto agjenda nuk kanë interes për stabilitetin dhe konsolidimin e shtetësisë së Kosovës – përkundrazi, ato ushqehen nga paraliza institucionale dhe nga krijimi i përçarjes brenda skenës politike.
Një nga zhvillimet më të rrezikshme në këtë krizë politike është tendenca e opozitës për të instrumentalizuar Listën Serbe, jo me qëllim të integrimit të komunitetit serb në jetën institucionale të vendit, por për të prodhuar bllokada të reja dhe për ta përdorur Veriun si levë presioni politik ndaj Qeverisë.
Kjo qasje e re përbën një kthesë të rrezikshme – sepse nuk buron nga një vizion për integrimin e plotë të komuniteteve, por nga një llogari e ftohtë për të shtuar tensionin institucional në mënyrë artificiale. Në vend që të kërkohet zgjidhje për stabilizimin e situatës në veri dhe për rikthimin e besimit të qytetarëve ndaj shtetit, krijohet një aleancë e pashpallur e interesave, ku përfitues i vetëm mbetet paraliza politike.
Në këtë skenar, kriminalizimi i veriut nuk ndodh më nga elementë të paligjshëm lokalë, por potencialisht bëhet pjesë e një strategjie politike të legjitimuar nga brenda Kuvendit – përmes mbështetjes që i jepet një strukture si Lista Serbe, e cila vazhdon të funksionojë si instrument politik i Beogradit dhe jo si përfaqësuese reale e qytetarëve serbë të Kosovës.
Të thuash se Lista Serbe është faktor i domosdoshëm për normalizim, është një gjysmë e vërtetë që përdoret për të fshehur një gjysmë tjetër shumë më të rrezikshme: se nëpërmjet saj, opozita tenton të legjitimojë bllokadën, të transferojë përgjegjësinë nga vetja te një aktor që nuk ka interes për stabilitetin e brendshëm dhe, në të njëjtën kohë, të krijojë një krizë të re – më të thellë, më komplekse dhe më të vështirë për t’u zgjidhur.
Nëse ky trend vazhdon, rreziku i kriminalizimit institucional të veriut bëhet real. Kjo nuk është vetëm çështje e sigurisë apo sundimit të ligjit – është çështje e kapjes së Republikës nga interesat e jashtme përmes dobësisë së brendshme.
Bllokimi i zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb, dëshmon për mungesën e përgjegjësisë dhe seriozitetit institucional. Ky bllokim, përtej implikimeve të brendshme, rrezikon të përdoret edhe ndërkombëtarisht si dëshmi e mosfunksionalitetit politik në Kosovë – duke dëmtuar pozitën ndërkombëtare të Republikës dhe duke i dhënë hapësirë propagandës kundër saj.
Në një sistem demokratik, kur mungon vullneti për të qeverisur dhe kur mekanizmat kushtetues janë bllokuar qëllimisht, i vetmi burim legjitimiteti mbetet qytetari. Prandaj, është detyrë e klasës politike që ta rifreskojë mandatin përmes zgjedhjeve të reja. Çdo vonesë për t’i kthyer vendimmarrjen popullit është jo vetëm mungesë përgjegjësie politike – por bashkëfajësi në fundosjen e Republikës.
Nëse partitë politike nuk janë të gatshme të ndërtojnë një shumicë qeverisëse, le ta pranojnë hapur para qytetarëve, le të kërkojnë falje për gjendjen që kanë krijuar dhe le ta shpërndajnë Kuvendin. Vetëm populli ka fuqinë për të ristartuar sistemin dhe për të thënë fjalën e fundit.
Në vend të improvizimeve, Kosovës i duhet udhëheqje me integritet politik dhe vizion shtetndërtues. Dhe mbi të gjitha, Kosovës i duhet një klasë politike që nuk bie pre e agjendave të askujt tjetër – përveç asaj që përcaktohet nga qytetari i saj.