Lëvizja POPULLI reagon ndaj deklaratave fyese të një zyrtari qeveritar: “Sulmet ndaj Shqipërisë tregojnë panikun e pushtetit”

Lëvizja POPULLI ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të një koordinatori kombëtar për komunikim dhe media në kabinetin e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, të cilat i ka cilësuar si fyerje dhe shpifje ndaj opozitës shqiptare dhe ndaj shtetit amë, Shqipërisë.
Në reagim thuhet se këto qëndrime tregojnë qartë panikun që ka kapluar partnerin shqiptar në qeveri, i cili sipas POPULLIT, nuk ka më asgjë për t’i ofruar qytetarëve përveç fabrikimeve dhe sulmeve politike.
“Sulmet ndaj Shqipërisë janë tregues se qeveria ka humbur busullën politike dhe moralin për të përfaqësuar shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Shqipëria për ne është shteti amë dhe faktor kombëtar e europian, dhe asnjë propagandë nuk mund ta cenojë këtë lidhje shpirtërore e politike”, thuhet mes tjerash në reagimin e POPULLIT.
Kjo lëvizje u ka bërë thirrje shqiptarëve që të mos bien pre e propagandës, duke theksuar se beteja sot është edhe morale: “Kush mbron dinjitetin shqiptar dhe kush e shkel atë për interesa pushteti”.
POPULLI rithekson se do të vazhdojë të mbrojë dinjitetin dhe të drejtat e shqiptarëve, duke theksuar se shpifjet e atyre që kanë humbur besimin e qytetarëve nuk mund të ndalin ndryshimin.