Një penallti e realizuar nga Mohamed Salah në minutat e fundit të kohës shtesë i siguroi Liverpool-it një fitore të vuajtur 1-0 ndaj Burnley-t në “Turf Moor”, duke e mbajtur të paprekur ecurinë e tyre perfekte në mbrojtjen e titullit të Premier League.

Dukej se “The Reds” do ta mbyllnin pasditen të zhgënjyer përballë skuadrës së sapo-promovuar, e cila u mbrojt me vendosmëri, por një ndërhyrje me dorë në zonë nga mesfushori Hannibal Mejbri i dha mundësinë ideale Liverpool-it për t’u larguar me tre pikë. Salah, i cili kishte qenë i zbehtë gjatë ndeshjes, tregoi gjakftohtësi dhe shënoi për të vulosur suksesin.

Liverpool dominoi pjesën e parë, por pa ide të qarta përpara një Burnley të vendosur për të frustruar kundërshtarin. Madje, vendasit patën rastin më të mirë në minutën e 7-të me Jaidon Anthony, i cili nuk arriti ta ulte topin nën traversë.

Me kalimin e minutave, “The Reds” gjetën më shumë hapësira: Andy Robertson, i sapofutur në lojë në vend të Milos Kerkez, hyri me mjeshtëri në zonë por goditja e tij u prit lehtë. Pak çaste më pas, Hugo Ekitike krijoi një situatë të rrezikshme, por askush nga bashkëlojtarët nuk ishte aty për ta shtyrë topin në rrjetë.

Në pjesën e dytë, Liverpool rriti presionin: Ryan Gravenberch gjuajti mbi traversë pas një goditjeje nga këndi, ndërsa Dominik Szoboszlai detyroi Martin Dubravka-n në një pritje të mirë. Federico Chiesa, i futur si zëvendësues, rrezikoi menjëherë me një goditje me kokë jashtë.

Burnley mbeti me një lojtar më pak kur Lesley Ugochukwu mori kartonin e dytë të verdhë. Megjithatë, dukej se Liverpool nuk do të përfitonte nga epërsia numerike, pasi Jeremie Frimpong pa goditjen e tij të ndalur në shtesë.

Por drama shpërtheu në fund, kur Hannibal ndali një krosim të Frimpong me dorë. Michael Oliver akordoi penallti dhe Salah, me gjakftohtësi, realizoi golin vendimtar që i dha Liverpool-it fitoren e katërt radhazi në nisje të sezonit 2025/26.

Mgid