Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka bërë të ditur se ai e ka në plan që të hënën, në Nju Jork, do ta njoh shtetin e Palestinës. Këtë ai e ka bërë të ditur përmes një postimi në platformën X, ku ka njoftuar edhe se ka biseduar me Mahmoud Abbas, president i Autoritetit Palestinez.

Macron ka thënë edhe se njohjen do ta bëjë duke pasur parasysh urgjencën ekstreme të situatës në Gaza dhe në të gjithë territoret palestineze, shkruan Gazeta Express.

‘‘Kjo njohje është pjesë e një plani gjithëpërfshirës paqeje për rajonin, që synon përmbushjen e aspiratave si të izraelitëve ashtu edhe të palestinezëve për siguri dhe paqe’’, ka shkruar ai mes tjerash.

Macron ka thënë edhe se Franca do të vazhdojë të qëndrojë përkrah autoriteteve palestineze në këtë rrugë.

Postimi:

Sapo fola me Presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas.

Së pari e falënderova për bashkëpunimin e shkëlqyer që çoi në arrestimin e njërit prej autorëve kryesorë të sulmit të tmerrshëm terrorist në Rue des Rosiers. Ne ramë dakord të punojmë së bashku për të siguruar ekstradimin e tij sa më shpejt të jetë e mundur.

Duke pasur parasysh urgjencën ekstreme të situatës në Gaza dhe në të gjithë territoret palestineze, ia përsërita Presidentit Abbas qëllimin tim për të njohur Shtetin e Palestinës të hënën në Nju Jork.

Kjo njohje është pjesë e një plani gjithëpërfshirës paqeje për rajonin, që synon përmbushjen e aspiratave si të izraelitëve ashtu edhe të palestinezëve për siguri dhe paqe.

Gjithashtu ritheksova kërkesat tona ndaj Autoritetit Palestinez. Në këtë drejtim, Presidenti Abbas riafirmoi vendosmërinë e tij për të zbatuar reformat e nevojshme për të rinovuar qeverisjen palestineze dhe për t’u përballur me sfidat e stabilizimit të shtetit të ardhshëm palestinez. Franca do të vazhdojë të qëndrojë përkrah autoriteteve palestineze në këtë rrugë.

Ne do të sigurohemi që këto angazhime të respektohen, për sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë rajonit.

Mgid