Për shkak të parregullsive të konstatuara në punë dhe mosveprimit sipas detyrimit për eliminimin e tyre, Ministria e Arsimit dhe Shkencës informon se është marrë vendim për pezullimin e përkohshëm të punës së shkollës së lartë profesionale private – Fakulteti i Ekonomisë së Biznesit në Shkup.

“Parregullsitë u konstatuan nga ana e një komisioni të posaçëm në kuadër të MASH-it për mbikëqyrjen e ligjshmërisë në punë, ndërsa vendimi për pezullimin e përkohshëm të punës së këtij institucioni privat të arsimit të lartë u mor gjithashtu në bazë të një mendimi nga Bordi i Akreditimit të Arsimit të Lartë. Në Fakultetin e Ekonomisë së Biznesit nuk ka studentë të rinj të regjistruar në vitin akademik 2025-2026. Për studentët e regjistruar tashmë, institucioni i arsimit të lartë do të përmbushë detyrimet e përcaktuara në Ligjin për Arsimin e Lartë me qëllim që të mundësojë arsimim të mëtejshëm pa ndërprerje, përkatësisht transferim në fakultete të tjera”, thonë nga MASH.

Theksojnë se respektimi i rregullave ligjore duhet të jetë parim themelor në punën e të gjitha institucioneve arsimore. Kjo, siç theksojnë, është mënyra e vetme që të sigurohet cilësi e qëndrueshme ndaj shfrytëzuesve të shërbimeve arsimore.

“Në 15 muajt e fundit, 14 institute shkencore private janë mbyllur, disa për shkak të mosaktivitetit, dhe disa për shkak të mospërmbushjes së kushteve të funksionimit. MASH do të vazhdojë të kontrollojë pa dallim punën e institucioneve arsimore dhe shkencore në të ardhmen dhe të marrë masat e duhura aty ku vërehen shmangie nga normat ligjore”, njoftojnë nga MASH.

Mgid