Më shumë se 50 mësimdhënës nga shkollat e Koçanit mbetën pa punë pasi kontratat e tyre me kohë të caktuar nuk u vazhduan pas 31 gushtit. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka marrë vendim për formimin e paraleleve me numër më të vogël nxënësish dhe ka dërguar shkresë deri te administrata komunale, me të cilën kërkon që mësimdhënësit të vazhdojnë punën.
Edhe Këshilli i Komunës së Koçanit në seancën e fundit miratoi vendim të ngjashëm, por ai do të hyjë në fuqi pas marrjes së shkresës nga MASH. Kryetari i përkohshëm i komunës, Venko Krstevski, thotë se dokumenti ende nuk ka mbërritur, ndonëse kryetari i Këshillit sot në koordinim e ka treguar shkresën nga Ministria.
“Arsimit i duhet cilësi, e kjo nënkupton depolitizim dhe përparësi të profesionalizmit dhe kompetencës te kuadri arsimor. Ky është hapi i parë që duhet ta bëjmë nëse duam të mbajmë të rinjtë këtu. Këtë vit shkollor duhet të punohet me paralele sipas normave të Ministrisë së Arsimit”, theksoi Krstevski.
Në zgjidhjen e problemit prej dy javësh është i përfshirë edhe Sindikata e Arsimit (SONK). Kryetari i saj, Jakim Nedellkov, shprehet se pret një zgjidhje deri në fund të javës.
“Përgjigjja e MASH-it është e qartë – paralelet duhet të formohen ashtu siç kanë qenë deri tani dhe të kthehen urgjentisht mësimdhënësit në punë”, tha Nedellkov.
Mësimdhënës të Koçanit paralajmërojnë se situata po dëmton seriozisht nxënësit dhe plan-programin mësimor. “Nuk është fjala vetëm për pagat tona, por për faktin që nuk mund të realizohet programi. Si mund të funksionojë mësimi në një shkollë ku 12 mësues janë lënë jashtë?”, u shpreh njëri prej tyre.
SONK thekson se rasti i Koçanit është i vetmi në vend ku mësimdhënësve nën kompetencë të komunës nuk po u nënshkruhen kontrata të reja me shkollat.