Nga data 12 tetor do të nisë zbatimi i sistemit të hyrje/daljes (EES) në kufijtë e Bashkimit Evropian, me qëllim të përshpejtimit të kontrolleve kufitare.

Ky sistem është biometrik dhe regjistron hyrjet dhe daljet e shtetasve të vendeve që nuk janë anëtare të BE-së dhe mbledh shenjat e gishtërinjve dhe fotografitë, duke eliminuar vulat në pasaportë.

Ky sistem ishte paraparë të hynte në fuqi nëntorin e vitit të kaluar, por është shtyrë në momentet e fundit pasi disa shtete ende nuk ishin të gatshme që ta zbatonin.

Autoritetet evropiane kanë bërë të ditur se ky sistem do të zbatohet gradualisht në kufijtë e jashtëm të 29 shteteve evropiane për gjashtë muaj. Ky zbatim gradual do t’u japë autoriteteve, pasagjerëve dhe industrisë së transportit më shumë kohë për t’u përshtatur me procedurat e reja, kanë thënë autoritetet evropiane.

Sistemi është krijuar në nëntor të vitit 2017. Ai pritet të vlejë për gati 60 vende, përfshirë edhe ato të Ballkanit Perëndimor, për hyrjen e shtetasve të tyre në BE, si dhe në Zvicër, Norvegji, Islandë dhe Lihtenshtajn, të cilat janë pjesë e zonës Schengen.

Pasaportat në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor janë biometrike; në çipa ruhen gjurmët e gishtërinjve dhe fotografia, dhe janë plotësisht të harmonizuara me kushtet që ka kërkuar Bashkimi Evropian, në mënyrë që vendet e Ballkanit Perëndimor të përfitojnë regjimin pa viza.

Zbatimi i këtij sistemi ka rritur frikën se do të ketë radhë dhe pritje të gjata për njerëzit që udhëtojnë për në Evropë me trena, tragete dhe aeroplanë.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com