Më tej nga lista e këshilltarëve Më mirë për Tetovën, thonë se nuk guxojmë të heshtim kur historia jonë rrezikohet, sepse heshtja sot do të thotë humbje nesër për fëmijët tanë
Lista e kandidatëve për këshilltarë “Më mirë për Tetovën”, gjatë një konference për shtyp me gazetarë ka kritikuar autoritetet komunale se nuk kujdesen për trashëgiminë kulturore, me theks të veçantë për Xhaminë e Pashës. Sipas Agron Arifit, bartës i listës së këshilltarëve, Xhamia e Pashës nuk është vetëm gur e tullë. Është kujtesa jonë, lidhja jonë me ata që ishin para nesh dhe me ata që do të vijnë pas nesh.
“Por kjo trashëgimi sot rrezikohet. Prej disa muajsh, në parkun pranë Xhamisë së Pashës bëhen ndërhyrje që rrezikojnë të dëmtojnë imazhin e saj, që shkatërrojnë parkun dhe hapësirën e vogël publike që u shërben qytetarëve. Askush nuk na tha pse dhe për kë bëhen këta punime. Por të gjithë e shohim se nuk janë për qytetarët. Ne pyesim në emër të tetovarëve. Kush përfiton nga këto ndërhyrje. Si cenohet interesat e tetovarëve me këta punime. A është kjo trashëgimia që duam t’u lëmë fëmijëve tanë. Kërkojmë urgjentisht nga Komuna që t’i heqin bekatonkat dhe ta kthejnë parkun në gjendjen e mëparshme, me të njëjtën shpejtësi dhe efikasitet me te cilën ndërmarrja e parkingut i gjobit qytetarët. Nëse nuk ndodh kjo para zgjedhjeve, atëherë do të kemi dyshime serioze se udhëheqësia komunale është e përzier në këtë biznes që shëmton imazhin e Xhamisë së Pashës, e me këtë edhe të Tetovës”, deklaroi Agron Arifi, bartës i listës së këshilltarëve “Më mirë për Tetovën”.
Më tej nga lista e këshilltarëve “Më mirë për Tetovën”, thonë se nuk guxojmë të heshtim kur historia jonë rrezikohet, sepse heshtja sot do të thotë humbje nesër për fëmijët tanë.
“Nuk guxojmë të lejojmë që trashëgimia jonë dhe vlerat tona të shiten për interesa të ngushta. Nuk guxojmë të pranojmë që pasuria kulturore e qytetit dhe dinjiteti i tetovarëve të përdhoset për përfitime politike dhe financiare. Nuk guxojmë të heshtim kur historia jonë rrezikohet, sepse heshtja sot do të thotë humbje nesër për fëmijët tanë. Tetova dhe Xhamia e Pashës nuk i takojnë pushteteve të kaluar dhe pushteteve të radhës. Ato i takojnë tetovarëve. Ato i takojnë brezave që do të vijnë. Dhe ne e kemi amanet t’i mbrojmë. Sot është koha të ngrihemi. Jo për parti. Jo për pushtet. Sepse pushteti dhe partia janë të përkohshme, ndërsa Tetova është e përhershme”, tha Agron Arifi, bartës i listës së këshilltarëve “Më mirë për Tetovën”. Në këto zgjedhja “Më mirë për Tetovën” garon me numrin 144.