Mexhiti: Bit Pazari është themeli i jetës tregtare në Çair, do ta modernizojmë dhe do i përmirësojmë kushtet për tregtarët

Zëvendëskryeministri i parë dhe njëherit kandidati i koalicionit VLEN
për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti sot gjatë vizitës që bëri
në Bit Pazar, theksoi rëndësinë e veçantë që ka ky vend për zhvillimin
ekonomik dhe social.
“Bit Pazari ka rëndësi të veçantë për Çairin. Këtu çdo ditë punojnë
qindra tregtarë, e nga ky treg mbahen mijëra familje. Ky vend ende
mbetet qendra kryesore e tregtisë tradicionale, ku fermerët dhe
prodhuesit lokal lidhen drejtpërdrejt me qytetarët, duke gjeneruar
gjallëri ekonomike dhe duke mbajtur të fortë biznesin e vogël”, u shpreh
Mexhiti.
Ai shtoi se Bit Pazari është baza mbi të cilën ndërtohet e gjithë jeta
tregtare e Çarshisë.
“Për Çarshinë, Bit Pazari është themeli mbi të cilin ndërtohet jeta
tregtare. Çdo aktivitet aty reflekton në zhvillimin e gjithë zonës
përreth, duke e mbajtur aktive ekonominë dhe duke i dhënë fuqi familjeve
që jetojnë nga puna e ndershme”, deklaroi ai.
Mexhiti paralajmëroi se investimet e ardhshme do të fokusohen në
modernizimin e këtij tregu të rëndësishëm.
“Ne e kemi përqendruar vëmendjen tonë tek investimet në Bit Pazar.
Synimi ynë është ta modernizojmë, të përmirësojmë kushtet për tregtarët
dhe të krijojmë hapësira më funksionale për bizneset. Çdo investim këtu
është një hap i drejtpërdrejtë drejt rritjes ekonomike të Çarshisë dhe
forcimit të mirëqenies për banorët e Çairit”, theksoi Mexhiti.
Më tej ai u bëri thirrje qytetarëve për mbështetje në zgjedhjet e 19
tetorit.
“Më 19 tetor, me mbështetjen tuaj, do ta vazhdojmë këtë drejtim, që edhe
Bit Pazari të jetë vend i zhvillimit, i tregtisë së fortë dhe i fuqisë
së ekonomisë lokale”, shtoi Mexhiti.