Kandidati i VLEN-it për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, hapi
shtabin zgjedhor lokal në nëndegën “7 Marsi” në lagjen e tij, ku u prit
nga një numër i madh qytetarësh.

Në fjalën e tij, Mexhiti e quajti tubimin një manifestim të fuqisë
popullore. Ai theksoi se mbështetja e banorëve është energjia që do të
shndërrohet në projekte konkrete për lagjet, shkollat dhe çerdhet e
Çairit.

Duke kujtuar se dikur kjo lagje ishte vend ku laheshin kamionët e
“Higjienës Komunale” që pastronin gjithë Shkupin dhe sot është lagje
urbane me standarde, Mexhiti tha se i njëjti transformim mund dhe duhet
të ndodhë në të gjithë Çairin. “Ne nuk vijmë me premtime boshe, por me
projekte dhe ide të qarta,” theksoi ai.

Ai prezantoi projektet madhore të parapara për Çairin:
• 100 milionë euro investime të sigurua për zhvillim;
• Kampusi i Universitetit “Nënë Tereza” me vlerë prej 40 milionë
eurosh;
• Sheshi Skënderbeu me parking nëntokësor prej 400 vendesh dhe investim
prej 25 milionë eurosh;
• Dy çerdhe të reja në Fushë Topanë dhe Çair të Vjetër me kapacitet për
1,000 fëmijë;
• Dy shkolla të reja që do të mundësojnë mësim me një ndërrim dhe
kushte më të mira për 8,500 nxënësit e Çairit;
• Infrastrukturë të rregulluar për ujësjellës, kanalizim dhe rrjet
atmosferik në lagjet e Çairit;
• Pishina dhe salla sportive për të rinjtë, përfshirë edhe shndërrimin
e bazenit të vjetër të papërdorur për 50 vite në një qendër të re
sportive dhe muze të arritjeve të Çairit.

Mexhiti paralajmëroi gjithashtu 3,000 vendparkime të reja në komunë dhe
investime të përbashkëta me Qytetin e Shkupit, mes tyre projekti
prioritar prej 10 milionë eurosh për rrugën e Jahja Pashës, si dhe
rregullimin e bulevardeve “Xhon Kenedi” dhe “Brigadës
Maqedonase-Kosovare”.

“Kur është në pyetje Çairi, ne e lëmë Qeverinë, por edhe kur jemi në
Qeveri nuk harrojmë që kemi ardhë prej Çairit, prandaj ato nuk mund të
tregojnë për këto 8 vite sa ishin në Qeveri, dy zëvendëskryeministra
edhe Artani edhe Bujari se çka bënë për Çairin përveç hapje të kazinove,
të kredive të shpejta dhe korrupsionit të lartë.”

Mgid