Zëvendëskryeministri i Parë dhe kandidati i VLEN-it për kryetar të
Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, sot prezantoi vizionin e tij për
arsimin e lartë, duke theksuar projektin më të madh investues në këtë
fushë për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, kampusin e ri të
Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, me vlerë mbi 35 milionë euro.
“Sot nuk flasim vetëm për ndërtesa e infrastrukturë, por për një
investim në të ardhmen tone, në të rinjtë, profesorët, shkencëtarët dhe
gjeneratat që do ta ndërtojnë këtë shtet. Universiteti ‘Nënë Tereza’
është një institucion me rëndësi kombëtare, rajonale dhe evropiane,”
theksoi Mexhiti.
Ai nënvizoi se Çairi tashmë është shndërruar në qendër të arsimit të
lartë për shqiptarët në kryeqytet, ku gravitojnë katër universitete,
qindra profesorë dhe mijëra studentë. Me kampusin e ri, sipas tij, po
hapet një kapitull i ri i zhvillimit akademik dhe kulturor.
“Rezultatet flasin vetë. Sot të rinjtë tanë nuk kanë më nevojë të
largohen për dije jashtë vendit, e kanë këtu, në gjuhën e tyre amtare.
Kjo është edhe një përgjigje ndaj sfidës së emigrimit: duke ndërtuar
universitete cilësore, i mbajmë të rinjtë këtu” u shpreh Mexhiti.
Në vizionin e tij, kampusi i ri pritet të bëhet qendër e inovacionit,
kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, me programe
konkurruese në nivel evropian, diploma të dyfishta dhe projekte të
përbashkëta me universitete prestigjioze.
“Ky investim duhet trajtuar si strategjik, njësoj i rëndësishëm si
energjetika apo shëndetësia. Partnerët ndërkombëtarë gjithashtu kanë rol
për të mbështetur modernizimin dhe ndërkombëtarizimin e këtij
universiteti” shtoi ai.
Në prag të përvjetorit të 10-të të themelimit të Universitetit “Nënë
Tereza”, Mexhiti shprehu mirënjohje për profesorët, akademikët,
institucionet dhe qytetarët që e kanë mbështetur këtë projekt. “Arsimi
në gjuhën shqipe nuk është luks, por e drejtë dhe realitet. Ky kampus do
të jetë vend ku jo vetëm mësohet, por edhe krijohet e ardhmja”,
përfundoi Mexhiti.

Mgid