Sot, në një event të zhvilluar në sheshin Skënderbeu në Shkup, zëvendës
kryeministri i parë, Izet Mexhiti së bashku me ministrin e Transformimit
Digjital, Stefan Andonovski prezantuan fazën e re të portalit të
shërbimeve publike, një platformë që synon t’i japë fund burokracisë dhe
t’i afrojë qytetarët me administratën përmes teknologjisë.

Portali i ri ofron qasje të lehtë dhe të shpejtë në qindra shërbime
publike, të cilat tashmë janë të disponueshme online, 24/7, në tre
gjuhë: shqip, maqedonisht dhe anglisht.

“Me vetëm disa klikime nga kompjuteri apo telefoni, qytetarët dhe
kompanitë mund të aplikojnë, të paguajnë dhe të përfundojnë shërbimet e
nevojshme pa shkuar fare në sportele”, shkruan Mexhiti në postimin e tij
në rrjetet sociale.

Platforma përfshin një gamë të gjerë shërbimesh.

Për qytetarët: ekstrakte, certifikata, letërnjoftime, dokumente
udhëtimi, shërbime nga Kadastra, etj.
Për bizneset: licenca, vërtetime për stazh e punësim, vërtetime
gjyqësore dhe shërbime nga Agjencia e Ushqimit.
Për studentët: aplikim për vauçera për pajisje elektronike (laptopë,
kompjuterë), me ndjekje të statusit të aplikimit në kohë reale, pa
pritje dhe pa radhë.

Mexhiti thekson se kjo platformë është pjesë e vizionit për një shtet
modern dhe efikas, dhe paralajmëroi se së shpejti edhe komuna e Çairit
do të digjitalizojë të gjitha shërbimet e saj, duke vendosur standarde
të reja për komunat në vend.

“Ftoj çdo qytetar, kompani dhe sidomos studentët, të regjistrohen në
portal dhe ta bëjnë pjesë të përditshmërisë së tyre, sepse çdo shërbim
administrativ do ta marrin më lehtë, më shpejt dhe më transparent”,
thotë Mexhiti.

Portali i ri i shërbimeve publike është hap konkret drejt modernizimit
të administratës dhe integrimit në standardet evropiane të ofrimit të
shërbimeve për qytetarët.

Mgid