Kandidati për kryetar komune të Çairit nga koalicioni VLEN, z. Izet
Mexhiti, ka ndarë sot lajmin e rëndësishëm për ndërtimin e xhamisë më të
madhe në Maqedoninë e Veriut, punimet për të cilën po zhvillohen me
dinamikë të lartë në lagjen Fushë Tophanë të Çairit. Sipas Mexhitit, kjo
vepër madhështore pritet të përfundojë në shkurt të vitit 2026, pak para
muajit të shenjtë të Ramazanit, duke ofruar një hapësirë të denjë për
mijëra besimtarë.

Ai në postimin e publikuar në faqen e tij zyrtare në Facebook, ka
shpalor edhe detajet mbi këtë xhami, e cila do të ketë kapacitet për mbi
3000 besimtarë, me 1500 m² hapësirë të brendshme dhe 1500 m² hapësirë të
jashtme, duke u bërë një qendër moderne të faljes, komunitetit dhe
edukimit shpirtëror. Objekti në fjalë përfshin edhe:

-Një amfiteatër bashkëkohor për aktivitete kulturore e fetare,
-24 zyra funksionale për nevojat e xhamisë dhe komunitetit,
-Parkim nëntokësor, që ofron kushte të përshtatshme për besimtarët dhe
vizitorët.

Izet Mexhiti e cilësoi këtë projekt si një vlerë të përjetshme për
brezat e ardhshëm, që do ta zbukurojë jo vetëm Çairin, por edhe tërë
Shkupin.

“Kjo xhami madhështore do ta zbukurojë Çairin dhe Shkupin, duke mbetur
një vlerë e përjetshme për brezat e ardhshëm” – ka shkruar mes tjerash
Mexhiti në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook.

Mgid