Nderi është i madh, por edhe më i madh është qëllimi – të shënojmë 34-vjetorin e krijimit të Maqedonisë sonë të pavarur.

8 Shtatori nuk është vetëm një datë simbolike, por një moment kthese historike për popullin tonë, për qytetarët, kohë kur u ngrit shtiza e pavarësisë, një zjarr që nuk u shua kurrë, i ushqyer nga beteja të shumta, sakrifica, vuajtje njerëzore, heroizma, fitore dhe humbje, u bë realitet.

Zëri i 8 Shtatorit do të thoshte zgjedhja e pavarësisë, por ai është edhe zëri i Ilindenasve, i Asnomasve, i heronjve të Kresnës dhe Razllovcit, i rilindësve, kryengritësve, britma e luftëtarëve të Krushevës, dorëshkrimi i Pulevskit, Misirkovit, lufta e Vëllezërve Milladinov – të gjithë atyre që me shpirtin e tyre të lirë, me vizionin dhe energjinë e tyre dhanë gjithçka për atdheun, pa kërkuar asgjë në kthim.

Ky 8 Shtator është më shumë se një datë – është dëshira e të gjithë këtyre gjigantëve, por edhe dëshira jonë për një shtet tonin, të pavarur dhe sovran, për shtëpinë tonë dhe valutën tonë, institucionet tona, akademinë tonë, universitetet tona, letërsinë dhe kulturën tonë që do ta promovojmë dhe mbrojmë para botës, ku do ta tregojmë dallimin tonë, por edhe veçantinë tonë. Gjurmën e ekzistencës sonë por edhe rrëfimin tonë para botës.

Të mos e harrojmë edhe rolin e VMRO-së historike në krijimin e shtetit maqedonas. Periudha më e gjallë e ekzistencës sonë ishte ajo e organizatës që solli shumë bij e bija maqedonase, që bashkonin inteligjencën dhe organizonin popullin, duke krijuar rezistencë kundër njërës nga perandoritë më të fuqishme të botës së asaj kohe. Ato shkronja u ngulën në memorien kolektive dhe VMRO ishte tribun i popullit, shoqërues i rezistencës dhe qëndresës maqedonase ndër shekuj. Ndërsa Asnomasit kishin vizionin dhe dinin të ruanin idealet për të cilat luftuan ilindenasit.

Prandaj thashë se 8 Shtatori nuk është vetëm një datë dhe kurrsesi rastësi, por vazhdimësi e etjes së njërit prej popujve më të vegjël të Evropës dhe pasojë e shumë betejave të këtij populli. Duhet të shprehim respekt edhe për mençurinë që pati ajo gjeneratë politikanësh maqedonas nga parti të ndryshme dhe bashkësi etnike të ndryshme që morën pjesë në shpalljen e pavarësisë.

Unë si kryeministër, si edhe çdo pasues, e kam për detyrë të përulem para atyre që folën për pavarësinë, por edhe para atyre që ndanë shpresën dhe dëshirën për një shtet tonin, që mbushnin rrugët dhe ndeznin zjarrin për Maqedoninë në kohë kur kishte edhe nga ata që flisnin për federata, për himne të Jugosllavisë, atëherë kur të gjithëve u ishte bërë e qartë se ai shtet po shpërbëhej.

Viktima e parë në atë çmenduri të njohur si lufta jugosllave ishte ushtari Sashko Geshkovski – dëm kolateral i luftërave të huaja. Por duhet pranuar gjithashtu se në ato rrethana, me rivalitet të ashpër dhe armiqësi ndërmjet shteteve jugosllave, ne arritëm ta ruajmë paqen. Kjo është një arritje e paçmueshme dhe e rëndësishme.

Në momente të tilla duhet të flasim hapur dhe drejtpërdrejt, ndaj dua të kujtoj një dështim të madh që si shtet e kemi pasur për gati tre dekada e gjysmë ekzistencë si shtet i pavarur maqedonas. E kjo është ndjenja e zhgënjimit nga sistemi. Kjo shihet edhe në pasqyrën kolektive për gjendjen e kombit, përmes mbijetesës së përditshme, madje edhe në rrjetet sociale. Shumë mllef, urrejtje e grumbulluar, ofendime të vazhdueshme, shpifje, grindje dhe mesazhe të këqija.

Arsyet për një zhgënjim të tillë tek qytetarët janë mbi të gjitha për shkak të shembujve që dhanë elitat politike gjatë këtyre viteve. Dhe në këtë fjalim timin nuk dua të flas për hesapet partiake, as të shoh përmes prizmit të betejave partiake, por flas për qëndrimet shtetërore dhe analizat që duhet t’i kenë të gjithë përgjegjësit në udhërrëfyesit e tyre politikë.

Kjo pakënaqësi ndaj sistemit vjen mbi të gjitha për shkak të udhëheqjes së padrejtë të politikave, të tranzicionit tepër të vështirë, të krimit shumë të fuqishëm që gërryente çdo pore të fortë të kësaj shoqërie tonë, të padrejtësive që shihnin, të faktit që shumëkush udhëhiqte shtetin dhe vendoste për fatet e të tjerëve, e në të njëjtën kohë ishte pjesë e kancerit kriminal që e gërryente shtetin dhe qeshte para fytyrës së drejtësisë.

Ndaj është krijuar përshtypja se ata që fitojnë padrejtësisht, nuk përgjigjen dhe nuk shkojnë në burg.

Kjo duhet të ndryshojë, dhe drejtësia nuk duhet të bëjë dallime se kush nga ku vjen, kush nga cila parti është dhe sa para ka, por vetëm nëse ka shkelur ligjin apo jo, nëse ka kryer krim apo jo. Edhe ata që mendojnë ose paraqiten si të mbrojtur nga përgjegjësia duhet ta dinë – herët ose vonë, drejtësia është e pashmangshme dhe do t’i arrijë. Nuk do të ketë mëshirë për ata që e vjedhin popullin. Është e thjeshtë.

Të gjithë ne duhet të sillemi kështu – në mënyrë jo-selektive, të drejtë ndaj të gjithë dhe të krijojmë shembull të përgjegjësisë kolektive shoqërore për fatin e përbashkët.

Kot është lumturia ime personale nëse fqinji im është i palumtur. Kot është nëse unë jam i kënaqur, ndërsa të gjithë përreth nesh përballen me probleme. Varet nga ne dhe tani më shumë se kurrë më parë … ose do t’ia dalim, tani dhe këtu, ose nuk kemi më shanse. Dhe unë po ju them – do t’ia dalim! Duhet t’ia dalim. Për këtë qëllim jap çdo atom të energjisë sime. Nuk kam ardhur deri këtu që të turpëroj veten, familjen time e pastaj juve. Nuk kam ardhur këtu për të bërë pasuri apo emër. Kam ardhur për të lënë gjurmë për bashkëqytetarët e mi, së bashku të krijojmë të ardhme për fëmijët e mi, për fëmijët tanë.

Që nga dita e parë që mora përgjegjësinë për ta udhëhequr Qeverinë, deri sot nuk harroj të shoh popullin fort dhe hapur, t’i shtrëngoj duart shumëkujt që kontribuon shumë për shtetin. Ato duar të lodhura janë ajo që jemi ne. Ato na ushqejnë, ato e mbajnë barrën nga e cila të gjithë ne së bashku duhet të marrim pjesë. Dhe këtu duhet të sillemi pa egoizëm dhe të kontribuojmë. Atdheu ynë ka të ardhme, dhe të gjithë ne duhet të kontribuojmë. Të flasim qartë për gjërat që janë kërcënim për shoqërinë tonë.

Në këtë fjalim timin dua të flas për pamjen e madhe, jashtë atyre përplasjeve të përditshme partiake që vetëm tregojnë gjendjen e dëshpëruar në të cilën gjenden disa struktura politike që nuk dinë të dalin nga boshllëku i tyre i thellë. Nuk mund të jem i qetë kur dihet dhe është e qartë se ne jemi gjithnjë e më pak. Mund të debatojmë për rrugë, nyje rrugore, taksa, paga dhe pensione. Por është kot nëse jemi gjithnjë e më pak njerëz. Nëse nataliteti është në recesion. Kot ndërtojmë rrugë nëse nuk ka kush të vozisë në to, ndërtojmë shkolla nëse bankat janë bosh ose ndërtojmë kënde lodrash nëse nuk ka zhurmë fëmijësh aty. Të gjitha betejat dhe shqetësimet tona janë të kota nëse për 70 deri 100 vjet populli ynë përgjysmohet, këndet e lodrave mbeten bosh, bankat pa nxënës.

Ne nuk jemi popull i madh me numër dhe çështja e natalitetit është çështje e ekzistencës sonë si komb dhe si shtet.

Në Manastir, në vitin 2015, klasën e parë e filluan 960 nxënës. Dhjetë vite më vonë, këtë vit 2025, numri është vetëm 651 fëmijë. Për një dekadë kemi humbur mbi 300 nxënës – një gjeneratë e tërë që mungon.

Në Tetovë, ku migrimi nga fshati në qytet është i madh, në vitin 2022 kishim 1076 nxënës të klasës së parë, ndërsa këtë vit vetëm 940. Një recesion prej 136 nxënësish për vetëm tre vite. Në Ohër, në vitin 2022 kishte 560, ndërsa në 2025 – mezi 440 fëmijë. Kjo do të thotë se çdo paralele po shuhet para syve tanë.

Më dramatiku është shembulli i Radovishtit: në vitin 2022 kishte 208 nxënës të klasës së parë, ndërsa këtë vit – vetëm 139. Për tre vite, gati 70 nxënës më pak.

Këto shifra nuk janë vetëm statistika. Ato janë tregime për klasa të mbyllura, kënde lodrash të zbrazura, qytete e fshatra të vogla që gradualisht zbrazen. Lajm i vjetër është se fshatrat zbrazen, tani gradualisht edhe qytetet po zbrazen. Duhet ta themi të vërtetën: fatkeqësisht jemi gjithnjë e më pak, dhe kjo është përgjegjësi kolektive. Çdokush duhet të marrë pjesë nga kjo përgjegjësi.

Prandaj nataliteti është prioriteti më i lartë kombëtar dhe për këtë 8 Shtator po flas shumë hapur për këtë. Kemi filluar me reforma, kemi rritur numrin e procedurave in-vitro – nga 3 në 6. Do të vazhdojmë në të ardhmen të mbështesim familjet e reja, të ndihmohet çdo fëmijë të porsalindur, të jepet siguri për prindërit dhe e ardhmja për fëmijët e tyre. Kjo nuk është vetëm çështje ekonomike, kjo është çështje mbijetese. Çështje nëse do të ekzistojmë, kush do ta ruajë historinë, kulturën, të ardhmen tonë.

Prandaj sot duhet të marrim vendim: të mos e lëmë atdheun të shuhet ngadalë, por me të gjitha forcat ta rikthejmë shpresën, gëzimin dhe buzëqeshjen e fëmijëve në çdo shtëpi. Por njëkohësisht duhet të fusim edhe shpresë. Qeveria e sheh këtë çështje si çështje të së ardhmes së kombit dhe prandaj e vendos si një nga prioritetet më të larta kombëtare.

Të vendosur të ndërtojmë një sistem që do ta inkurajojë gjeneratën e re të qëndrojë këtu, të krijojë familje dhe të besojë në të ardhmen e tyre në shtëpi.

Kjo do të thotë punë e vazhdueshme për politika që forcojnë besimin në shtet, që ofrojnë stabilitet dhe ndjenjë sigurie, që hapin perspektivë për çdo të ri se këtu mund të ketë jetë dinjitoze.

Vizioni ynë është vizion ku buzëqeshja e fëmijës është vlera më e madhe, vend ku prindërit do ta dinë se puna dhe dashuria e tyre vlerësohen, vend ku e ardhmja nuk shihet në emigrim, por në krijim.

Prandaj Qeveria mbetet e përkushtuar të investojë tek njerëzit, tek familjet, tek çdo fëmijë i ri që lind. Ky është thelbi i misionit tonë – të sigurojmë që atdheu të ekzistojë edhe nesër, edhe pasnesër dhe për brezat që vijnë.

Të dashur miq, do të vazhdojë me një nga prioritetet kryesore të Qeverisë dhe kjo është lufta për standardin e jetesës. Jam i vetëdijshëm se shumë njerëz jetojnë shumë vështirë, se mezi lidhin muajin dhe se jeta është shumë e shtrenjtë. Dhe siç theksoj gjithmonë – nuk ekziston shkop magjik për zgjidhjen e problemeve. Do të doja të kishte, por them realitetin se vetëm me punë po luftojmë për një jetë më të mirë.

Gjërat po ndryshojnë. Në këtë një vit e gjysmë pushtet kemi rregulluar shumë gjëra dhe kemi vendosur bazën dhe themelet për atë që duhet të jetë një jetë më e bukur, më e mirë dhe më e pasur për çdo njeri. Duhet durim dhe këmbëngulje. Treguesit makroekonomikë tregojnë se ekonomia po zgjohet dhe se kemi trend rritjeje. Por duhet kohë që këto shifra që i shohim tani në raportet statistikore dhe që janë jashtëzakonisht pozitive, të sjellin edhe përmirësim real të standardit të jetesës dhe populli shumë shpejt ta ndiejë këtë.

Viti i ardhshëm do të jetë vit i sukseseve ekonomike dhe i standardit realisht më të mirë të jetesës. Sot përballë nesh qëndrojnë sfida të mëdha, por edhe mundësi të mëdha. Ekonomia po rimëkëmbet, investime të reja hapin vende pune, dhe standardi i qytetarëve gradualisht po përmirësohet. Ky është rrugëtimi që duam të ndjekim – rruga e sigurisë, stabilitetit dhe shpresës.

Sepse vetëm me ekonomi të shëndoshë mund t’u ofrojmë të rinjve perspektivë për një jetë më të pasur dhe dinjitoze në shtëpi. Vetëm me familje më të pasura mund të inkurajojmë çdo nënë dhe çdo baba të gëzohen për një jetë të re. Vizioni është i qartë – Maqedonia si vend ku çdo familje jeton më mirë se dje dhe ku e ardhmja është më e ndritshme, më e qëndrueshme dhe më e pasur. Ky është qëllimi i përbashkët drejt të cilit po ecim dhe në të cilin besojmë.

Të dashur miq,

Vetëm shkurt dua të ndalem te një temë nga përditshmëria, e cila përsëri ka rëndësi për pamjen më të gjerë të sistemit në të cilin mbijetojmë. E ajo është përgjimi. Përgjimi ilegal, i paligjshëm dhe keqpërdorimi i sistemit. Përgjimi dhe ndjekja kanë filluar që nga vitet ’90. Dhe e njëjta strukturë, pothuajse të njëjtit njerëz dhe operativë, të afërt me ndonjë pushtet të kaluar, operojnë me sistemin. Me këto hapa goditet themeli i demokracisë, goditet rendi kushtetues, e pasojat e një sistemi të tillë të shtrembëruar jo vetëm që shkatërrojnë gjenerata njerëzish, por edhe e vënë në rrezik gjithë shtetin, duke e lënë sistemin e sigurisë në një pijatë. Goditje të tilla shkatërrojnë edhe fatet njerëzore, më së shpeshti duke shpikur situata, kontakte, duke shtuar gjëra që në thelb nuk ekzistojnë.

Për këtë jam dëshmitar edhe unë personalisht, duke parë materialin që ka të bëjë me mua, e madje edhe me familjen time. Hajde, unë e kuptoj, por fëmijët?! Dhe këtu dua të nënvizoj: nuk është pyetja nëse do të deklasifikohen materialet – kjo është krejtësisht e parëndësishme dhe në ato gjëra unë shoh vetëm frikë dhe panik të atyre që thërrasin për diçka të tillë, dhe si një justifikim për të devijuar nga dilemat e vërteta. E të mos flas që me këtë zbulohet dhe shpartallohet i tërë një sistem operativ. Pyetja e vërtetë është si t’i ndalim keqpërdorimet dhe të mos përsëritet më kjo.

Kjo do të ndodhë vetëm kur të ketë përgjegjësi. Dhe përgjegjësi duhet të ketë. Të gjitha materialet nga institucionet dhe njohuritë për ndjekjen e paligjshme janë dorëzuar në prokurori. I dimë kapacitetet e tyre të dobëta dhe për fat të keq, besimin e ulët te ata, por këtë rast do ta ndjekim nga afër dhe vetëm të dinë se kjo punë nuk do të fshihet nën qilim.

Kjo është çështje e mbijetesës së shtetit. Dhe në periudhën që vjen kjo nyje gordiane do të zgjidhet.

Gjëja e dytë që duhet ta komentoj është njëfarë propozimi për “vija të kuqe”, për çështjen me fqinjin tonë lindor. Me kënaqësi e pres atë propozim të shoh se si do të jetë, jam në pritje, me padurim e pres – nga ata të njejtët që pranuan deklaratë për mosndryshimin e emrit, e pastaj e ndryshuan, nga ata që thoshin se nuk ka ultimatume, e pastaj e sollën propozimin francez, nga ata që thoshin “ajdeni të dalim në referendum”, e pastaj nuk i njohën rezultatet e tij.

Le të shohim çfarë janë ato vija të kuqe, ngjyra e të cilave do të jetë më e zbehtë se ngjyra më e bardhë, sepse nuk mund të flitet në të njëjtën kohë për vija të kuqe, e të thuhet “duhet të pranohet gjithçka që është mbi tavolinë, pa kushte”. Por ju them, të jeni të sigurt, përderisa unë jam kryeministër, nuk do të ketë lojëra me çështje të tilla. Shteti do të jetë i sigurt. Prioriteti ynë janë integrimet evropiane. Kanë qenë, janë dhe do të mbeten, por ai rrugëtim nuk guxon më të jetë i turpshëm. Duhet të jetë i denjë, duhet të jetë një rrugë në të cilën do të jemi të barabartë me të gjithë popujt e tjerë evropianë, dhe jo të poshtëruar e të turpëruar siç për fat të keq sot ndjehemi të gjithë ne.

Por, fokusi im si kryeministër është një arsim më i mirë, një arsim vërtet evropian, bujq të lumtur, të rinj që mbeten në vend, pensionistë që gëzojnë ditët e tyre më të bukura pas gjithçkaje që kanë bërë në jetën e tyre, për familjen e tyre dhe për shtetin e tyre, punëtorë që kanë kushte pune të njëjta si kolegët e tyre në Evropë. Ekonomi të fortë, investime, standard më të mirë jetese në Ballkan dhe një nga të parët në Evropë. Kjo është ëndrra ime dhe ëndrra e gjeneratës sime, jam i sigurt se secili prej jush do të pajtohet se ia vlen të sakrifikohemi për ta jetësuar këtë ëndërr.

Të dashur miq,

Sot përsëri jemi të vendosur përballë kohëve që kërkojnë guxim dhe vendosmëri. Dhe përsëri duhet të bëjmë zgjedhjen e duhur – punën, bashkimin, të ardhmen që do t’ua lëmë fëmijëve tanë.

Pavarësia, ajo nuk është vetëm një nënshkrim i zakonshëm në letër – ajo është sakrificë, ajo është luftë, ajo është dashuri për këtë tokë të shenjtë maqedonase. Është amanet nga të parët tanë, por edhe betim para gjeneratave që do të vijnë.

Të bashkohemi.

Të dashur miq, për këtë shkruante edhe Gane Todorovski:

“Sa pak është e nevojshme në sy të të mbledhim,

sa shumë është e nevojshme në pëllëmbët e vetëdijes

të të ruajmë.

Shekuj të tërë kohë është dashur të mbijetohen,

shekuj të pambaruar,

vite të pakaluara

ditë e pagdhira.

Shekuj të gjatë kohë në përballje me harresën,

Dhe –përsëri të kemi!

Jemi këtu, na thuaj: ejani më shpesh këtu

dhe zbuloni kuptimin

e ekzistencës suaj.

Memecëri llafazane, a thua:

pavarësisht gjithçkaje –

jetojmë, jetojmë, jetojmë!”

Dhe krejt në fund, do të doja të jap një mesazh:

“Nuk ka nder më të madh sesa t’i shërbesh popullit tënd dhe atdheut tënd! Nuk ka zgjedhje më madhështore se zgjedhja e vërtetë – të qëndrojmë të drejtë, të jemi së bashku dhe të besojmë në atdhe!

Prandaj, sot dhe çdo ditë që vjen, me krenari dhe dinjitet themi:

‘Ti je nderi ynë, e ardhmja jonë dhe dashuria jonë – dhe zgjedhja e duhur është ta lartësojmë në përjetësi!’

Zoti e bekoftë Maqedoninë tonë!

Gëzuar festën dhe Ju faleminderit!”

Mgid