Kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë pjesëmarrjes në Ditarin e TV Sitel në pjesën “Tema e ditës”, duke folur për ngjarjet e fundit me zjarret e deponive, theksoi se për zjarrin në Trubarevë ekspertët kanë thënë se duhen të paktën 7 ditë që të shuhet, por me veprim të përbashkët të institucioneve i njëjti u menaxhua për më pak se 30 orë dhe shtoi se institucionet po veprojnë dhe shteti do t’i përballojë këto sfida.

Në Trubarevë nuk ka më tym që gjatë ditës së djeshme, e nëse ktheheni pas që nga dita e parë dhe bëni një analizë, atëherë do të merrni informacion nga persona të autorizuar për këtë qëllim, të cilët atëherë thoshin se do të na duhen të paktën 7 deri në 10 ditë për ta vënë situatën nën kontroll, por me veprim të organizuar të institucioneve bashkë me zjarrfikësit, për më pak se 30 orë situata u vendos nën kontroll, pra tym nuk kishte më“, theksoi kryeministri Mickoski.

Kryeministri Mickoski theksoi se beson se në Trubarevë puna është e përfunduar dhe se është shtruar një shtresë e dheut për të mbuluar mbeturinat që digjeshin dhe se tani situata është stabilizuar, ndërkohë që parametrat e ndotjes janë larg nga ato që opozita, përmes spekulimeve dhe të pavërtetave, përpiqet t’i shpërndajë në opinion dhe se nuk janë kërcënuese për jetën siç mundohet dikush t’i thotë, duke nënvizuar se këtë nuk e thotë për ta justifikuar zjarrin, por për të qetësuar dhe siguruar qytetarët, sepse ajo të cilën përpiqet ta bëjë opozita është të sjellë shqetësim, ndërsa realiteti është krejtësisht tjetër.

„Në Vardarishtë, aty kemi tashmë një agjenci e cila e siguron perimetrin e deponisë, e cila ka filluar të krijohet menjëherë pas tërmetit në Shkup, që do të thotë se ky është një problem më shumë se 5 dekadash. Dhe përfundimisht mbetet Drislla, sot jam në kontakt me njerëzit që atje po përpiqen ta zgjidhin problemin dhe diku rreth 95% është ulur tymi dhe pres që gjatë ditës së nesërme edhe atje situata të zgjidhet plotësisht. Kështu që mund të them se me veprim të përbashkët të institucioneve, këto tre vatra janë zgjidhur edhe pse asnjëra prej tyre nuk është kompetencë e shtetit, posaçërisht këtu e kam fjalën për Drisllën“, theksoi kryeministri Mickoski.

Në lidhje me përgjegjësinë, kryeministri Mickoski theksoi se për këtë qëllim rreth dhjetë persona nga udhëheqësia e Drisllës janë thirrur për bisedë në SPB Shkup, po analizohen deklaratat e tyre dhe gjithashtu pritet që gjatë ditës së nesërme të japin dëshmi se si në momentet kur ndodhin zjarret një pjesë e pajisjeve të Drisllës shkon në servis dhe mbetet e papërgatitur për sfidat dhe se si njerëzit marrin pushim mjekësor, ndërkohë që aktivistë të afërt me LSDM-në dhe BDI-në e vizitojnë Drisllën.

„Prandaj e gjithë kjo në periudhën që vjen do të hetohet dhe nëse ndonjë mendon se do të kalojë pa u ndëshkuar, atëherë gabon. Sa i përket Trubarevës, atje katër persona janë arrestuar dhe janë në paraburgim, e njëjta ndodh edhe me të arrestuarit për Vardarishten, për të cilët është caktuar paraburgim“, theksoi kryeministri Mickoski.

Kryeministri shtoi se nga Ministria e Mjedisit Jetësor është dhënë urdhër për inspektoratin të kryej kontroll të jashtëzakonshëm në të gjitha deponitë që kanë licencë, nëse ata punojnë sipas ligjit, nëse jo t’u tërhiqet leja, ndërsa për deponitë ilegale janë angazhuar komunat që t’i pastrojnë.

Mgid