“Dje dhashë një koment të shkurtër, sot meqë më pyesni do t’ju jap përgjigje në pyetjen tuaj dhe do ta ndaj përgjigjen në dy pjesë,” deklaroi kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske lidhur me qëndrimin e tij për Rezolutën dhe vendimin për sjelljen e ndryshimeve kushtetuese deri në shkurt, të dorëzuar nga kryetari i opozitares LSDM, Venko Filipçe.

“Pjesa e parë është se, për fat të keq, edhe kjo udhëheqësi e LSDM-së e vazhdon praktikën e udhëheqësive të mëparshme të LSDM-së për t’i rrënuar pozicionet e Qeverisë maqedonase dhe të shtetit, për t’i shitur prioritetet identitare dhe kombëtare, për arsye për mua janë të pakuptueshme. Nëse dikur e bënin këtë për të mbetur në pushtet, që të mund t’i keqpërdorin institucionet dhe resurset e shtetit, nuk e kam justifikuar, sigurisht për atë ka përgjegjësi, por disi i kuptoja. Tani nuk i kuptoj nga opozita pse duhet t’i minojnë pozicionet e Qeverisë e cila me ngulm po lufton që atë që ata e shitën gjatë 7 viteve të kaluara kur ishin në pushtet, ta përmirësojë. Si në planin ndërkombëtar ashtu edhe në atë vendor,” theksoi Mickoski dhe shtoi:

“Së dyti, e ashtuquajtura, Rezolutë, të cilën e pashë dhe tekstin brenda, do të shqyrtohet pas zgjedhjeve, ashtu e kuptova udhëheqësinë e LSDM-së.
Së treti, aty ka falsifikime historike. Në vitin kur festojmë 80-vjetorin e kodifikimit të gjuhës maqedonase, ata na bindin në Rezolutë se ajo në Kombet e Bashkuara është pranuar në vitin 2019-të, mendoj, nuk di çfarë të them. Edhe dje e theksova faktin se në vitin 2005, nuk ishte Maqedonia e Veriut ajo që mori datë për fillimin e negociatave, por Republika e Maqedonisë. Këto janë falsifikime historike, nuk e di deri kur këta njerëz do të vazhdojnë të shërbehen me falsifikime historike.”

“Dhe më në fund, pozicioni ynë është i qartë. Ne nuk i injorojmë obligimet që ajo qeveri i ka pranuar, për fat të keq. Por gjithashtu, nuk shohim që fqinji ynë lindor bën diçka në drejtim të përmbushjes së obligimeve të tyre dhe presim gjithashtu një veprim më të fuqishëm nga Komisioni Evropian dhe Bashkimi Evropian edhe tek fqinji ynë lindor, pra tek partneri i tyre brenda familjes evropiane. Sepse kemi parë në të kaluarën shumë herë që kur ka pasur vullnet, është gjetur mënyra.

Ne kemi një qëndrim të qartë – garanci, të cilat i përmendi kryetari i Këshillit Evropian, sepse populli maqedonas dhe qytetarët e Maqedonisë, pa dallim përkatësie etnike, kanë dhënë shumë në emër të së ardhmes evropiane të shtetit, kanë dhënë shumë, si asnjë popull tjetër në Evropë. Doni të nisim nga shekulli i 18-të, 19-të e këtej të analizojmë. Tani të mos flasim për të fundit. Pa garanci të tilla, nuk më bie ndër mend të mendoj për çfarëdo ndryshimesh kushtetuese,” theksoi kryeministri Mickoski.

Ai është i vendosur se kurrë nuk do të heqë dorë nga populli maqedonas në vendet fqinje dhe kudo në botë.

“Së dyti, çfarë ndodh me maqedonasit nga ana tjetër e atij kufiri? Çfarë ndodh me ta? A do të heqim dorë gjithmonë si qeveri nga populli maqedonas në vendet fqinje dhe kudo në botë? Unë këtë nuk do ta bëj. Asnjëherë. Dhe duhet vetëm thjesht të zbatohen aktgjykimet nga Strasburgu, asgjë më shumë nuk duhet të bëjnë. Kjo është e drejtë ndërkombëtare, Bullgaria është nënshkruese e atyre konventave. Vetëm duhet të zbatojnë atë që ka vendosur Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, e cila është një vlerë themelore evropiane. Që OMO Ilinden – Pirin të mund të funksionojë si shoqatë e maqedonasve në Bullgari. Dhe me këtë OMO Ilinden – Pirin do të fitojë të drejtën të paraqesë përfaqësues të vetin në Këshillin Ministror për pakicat në Bullgari, ashtu siç kanë hebrenjtë, armenët, turqit, romët etj. E meritojnë maqedonasit të cilët, sipas regjistrimit të vitit 1956 ishin shumicë në Bullgarinë Perëndimore, ndërsa në vitin 1965 në mënyrë magjike 200 mijë zhduken, që në regjistrimin vijues të kenë përfaqësues të vetin atje. Dhe qëndrimi i qartë ndaj Rezolutës së korrikut të vitit 2022, e cila u votua në Parlament me 95 vota. Asgjë tjetër nuk kërkojmë. Kjo është ajo që kërkojmë. Këto janë të gjitha fakte. Kur të shohim gatishmëri nga pala tjetër, edhe ne jemi të gatshëm të ulemi dhe të bisedojmë. Ndërsa për këtë Rezolutë, ato pak gjëra që kemi për të thënë do t’i themi pas zgjedhjeve,” tha Mickoski.

Në pyetjen gazetareske se a i pranon vijat e kuqe të Filipçes, ai u përgjigj se nuk kanë pranuar vijat e tij të kuqe, por pranon vetëm vijat e kuqe maqedonase:
“Nuk do ta komentoja këtë, mund bëjmë polemika sa të duam, as nuk kemi pranuar vijat e kuqe të tij, unë pranoj vijat e kuqe maqedonase.”

Mgid