Rezoluta e propozuar nga LSDM përmban falsifikime historike, thotë kryeministri Mickoski, një ditë pasi kryetari i opozitës, Venko Filipçe, e prezantoi para publikut. Megjithatë, ai thotë se mbetet në qëndrimin se ky dokument do të shqyrtohet pas zgjedhjeve, siç propozoi vetë Filipçe. Kreu socialdemokrat dje vendosi një afat kohor, pra votimin e ndryshimeve kushtetuese deri më 10 shkurt të vitit të ardhshëm, për çka Mickoski tha se derisa të mos ketë garanci, nuk do të ketë ndryshime kushtetuese.

“Ne kemi një qëndrim të qartë, garanci, të cilat i përmendi kryetari i Këshillit Evropian, pasi populli maqedonas, qytetarët në Maqedoni, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, dhanë shumë për të ardhmen evropiane. Dhuruan shumë, më shumë se çdo popull tjetër në Evropë. Dëshironi të fillojmë nga shekulli i 18-të, pastaj 19-të dhe më tej, të analizojmë. Tani të mos flasim më për periudhën e fundit. Pa këto garanci, nuk më shkon mendja të mendoj për asnjë ndryshim kushtetues”, tha Mickoski.

Nga LSDM thonë se propozim-rezoluta është për interes kombëtar dhe shtetëror, dhe përmban të gjitha dispozitat e nevojshme për mbrojtjen e gjuhës dhe identitetit maqedonas. Sa i përket kritikeve të kryeministrit Mickoski se aty ka fakte të rreme historike dhe të pasakta, thonë se një gjë e tillë nuk ekziston.

“Bëhet fjalë për një propozim-rezolutë që është për bashkim, jo për përçarje dhe aspak për përplasje politike. Kjo është një propozim-rezolutë e bërë me qasje serioze me ekspertë dhe shumë precize. Prandaj duam të japim kohë që të gjitha partitë politike ta shqyrtojnë dhe pastaj të japin mendimin e tyre. Sigurisht, pasi rezoluta të shqyrtohet me kujdes”, tha Kuzeska.

Sa i përket rrugës tonë eurointegruese, foli edhe kryetarja Gordana Siljanovska Davkova duke iu drejtuar sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ideali evropian mbetet frymëzimi ynë më i madh dhe aspirata strategjike, por pa kushte shtesë dhe me ruajtjen e dinjitetit kombëtar, theksoi Siljanovska.

Mgid