Të nderuar, ju dërgojmë intervistën e Hristijan Mickoskit, kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për Deutsche Welle.
DW: Sa abuzime nga shërbimet sekrete për kokë banori mund të durojë Maqedonia dhe kur do t’i vihet njëherë e mirë fundi? Besimi i qytetarëve në këtë drejtim nuk është i madh, duke pasur parasysh epilogun e rasteve të tilla më parë. A besoni ju në një zgjidhje të rastit të fundit?

Hristijan Mickoski: Pajtohem se përqindja e besimit në një epilog ligjor, veçanërisht kur rasti është sjellë deri te dyert e Prokurorisë, është shumë e ulët. Por, në të njëjtën kohë, ky është rast që ne do ta ndjekim nga afër. Institucionet kanë punuar gjatë periudhës së kaluar dhe ato indicie dhe materiale provuese janë dorëzuar në Prokurori. Organizimi i ndjekjes nuk ka qenë vetëm nga ASK-ja, por edhe nga AZ-ja. Të dyja janë përdorur për qëllime personale dhe politike. Cili ka qenë interesi i shtetit të ndjekë gazetarë, media ose fëmijët e mi? Kjo tregon se sistemi në duart e atyre njerëzve ka devijuar. Prandaj edhe më shumë insistoj që ky rast të zgjidhet, sepse ka trend, një traditë jo e lavdishme e keqpërdorimit të shërbimeve të sigurisë dhe inteligjencës gjatë këtyre tri dekadave. Indikative është që këto janë lartë-poshtë të njëjtit njerëz që kryejnë keqpërdorime masive të këtilla, duke e shkatërruar sistemin dhe duke shkaktuar dëm jo vetëm individëve dhe familjeve të tyre, por edhe gjithë shtetit, duke rrënuar themelet demokratike mbi të cilat duhet të mbështetet sistemi. Është koha t’i vihet fund dhe të dërgohet mesazhi se ata nuk janë më të fuqishëm se shteti.

A i legjitimojnë indiciet për abuzime në ASK, por edhe në AZ, për të cilat ju keni alarmuar edhe më parë, qëndrimin për reformimin dhe riorganizimin e ASK-së dhe AZ-së me bashkimin e tyre në një trup të vetëm – ide për të cilën edhe jashtë VMRO-DPMNE-së ka mbështetës, por edhe kundërshtarë?

Përgjegjësia që duhet të përcaktohet është vetëm një segment. Segmenti i dytë është po aq i rëndësishëm – parandalimi dhe përpjekja që kjo të mos përsëritet. Përvoja na mëson se ekziston qartë nevoja për reforma dhe se është e domosdoshme të racionalizohet kjo pjesë e sistemit të sigurisë. Çdo gjë që do të bëhet do të jetë në koordinim me partnerët dhe aleatët tanë. Do të merren parasysh përvojat më të mira dhe rekomandimet e tyre. Por kur do të ndodhë kjo, për momentin nuk mund të thuhet, sepse është e nevojshme kohë për të përgatitur një plan për riorganizim tërësor dhe të thellë të shërbimeve. Ngjarjet vetëm e dëshmojnë se diçka duhet ndërmarrë, se shërbimet duhet të kenë sisteme kontrolli civil, të udhëhiqen në mënyrë të përgjegjshme dhe profesionale dhe të parandalohet keqpërdorimi i tyre. Duke pasur parasysh atë që shpjegon opozita, madje edhe ish-drejtori i tyre i cili me këmbëngulje e “përzen mizën nga kapelja”, ata mund të shpikin arsye për secilin në shtet që të ndiqet dhe ta mbështesin këtë me një deklaratë të trilluar e dy bashkëpunëtorëve të tyre. Pastaj të fillojnë të ndjekin dikë, ndërsa pas kësaj qëllimet e vërteta të jenë politike, biznesi ose për shantazh. Në vend që të merren me grupet kriminale nga Gërçeci, Haraçina dhe me krimin e BDI-së dhe funksionarëve të tyre, ose me krimin e të gjithë politikanëve nga vitet ‘90 e deri më sot, ose me recidivistët nga Siria, shërbimi më ka ndjekur mua dhe fëmijët e mi. Këtë mund ta bëjë vetëm një mendje e sëmurë. Dhe ajo mendje e sëmurë mund të gjejë mediokritete të cilët më pas do ta justifikojnë këtë në çdo mënyrë të mundshme nëpër media, duke pohuar se shërbimi e ka kryer punën e vet duke ndjekur kriminelë, e “rastësisht” Mickoski u kap në grepin. Dhe? Juve kjo ju duket logjike? Apo është vetëm një arsyetim i rremë për të më ndjekur? Nëse ka qenë ashtu, pse nuk jam i arrestuar? Nëse kam bërë diçka komprometuese ose të kundërligjshme, pse nuk ka kallëzim kundër meje?

Në ndërkohë dëgjuam disa deklarata nga ish-drejtori i ASK-së, por edhe pyetje nga LSDM-ja, të cilët nga ana tjetër hapin pyetje shtesë…

Si ka mundësi që tani shpikin arsyetime të ndryshme, pasi u kapën në flagrancë, LSD-ja thotë një gjë, Dimovski tjetër, pastaj ngatërrohen dhe mbyten në tezat e veta, kështu që është e qartë si dita që janë të frikësuar. Dua edhe njëherë t’u them, se secili që ka marrë pjesë në këtë do të përgjigjet. Nëse do të kishte pasur diçka kundër meje, a mendoni se ata, si valë me hov, do të më falnin – kur gjysmën e VMRO-së, edhe fajtorë e të pafajshëm, i ngarkuan me raste? Tani janë të frikësuar, ndërsa unë me kënaqësi shoh se si përpëliten nga frika, paniku dhe janë plot me pasiguri. Nuk e dinë nëse dikush ka folur, nëse dihet gjithçka apo vetëm një pjesë, nëse do të ketë epilog përfundimtar. Në këtë gjendje, ata as që janë plotësisht të vetëdijshëm se kjo nuk do të përfundojë mirë për ta.

Prandaj humbin kohë duke shkruar letra anonime edhe atë pikërisht frymëzuesit e kësaj – si do të luajnë viktimën, si do të sulmojnë duke përhapur gënjeshtra dhe dezinformata. Është argëtuese të shohësh se si këta të njëjtët frymëzues mobilizohen dhe mobilizojnë të gjithë bashkëpunëtorët e tyre, që “mbijnë” nga anë të ndryshme. Gjithçka po del saktësisht ashtu siç kemi pritur. Dhe unë jam i kënaqur nga ajo që ka ndodhur deri më tani. Edhe teza se unë “rastësisht” jam kapur derisa ndiqnin të tjerët është tezë qesharake dhe njëkohësisht tragjike, e pavërtetë dhe naive. Po të ishte kështu, pse atëherë vetëm unë jam ndjekur dhe është e dukshme se unë jam fokusi i ndjekjes? Nëse unë jam “kapur” përmes të tjerëve, atëherë për ata do të kishte dokumentacion, ndërsa kështu ka vetëm për mua. Teza e tyre është një absurditet i plotë dhe më vjen turp madje t’i dëgjoj se si përpëliten e lëvizin me duar, dhe nëse qëllojnë diçka –atëhere mirë.

Por këtu jeton një popull me përvojë dhe i mençur. I di mirë truket tuaja. Ju ka parë në vepër. Ku është jeta që premtonit? Të turpshme janë këto nënvlerësime ndaj popullit tuaj, që me ngulm i vazhdoni. LSD-ja, për fat të keq, nuk ndryshon dhe rreziku është i madh që siç kanë nisur të shndërrohen në parti margjinale dhe hapësirën e tyre ta zërë dikush tjetër. Por ky është problem i tyre. Ashtu siç është problem i tyre, përkatësisht i funksionarëve të tyre dhe përgjegjësi e tyre, ajo që do të vijojë në këtë proces për ndjekjen dhe keqpërdorimin e pozitës zyrtare.

Kryetari i LSDM-së propozon deklaratë për konsensus kombëtar për integrimin evropian, ndërkohë që njëkohësisht pretendon se “në asnjë dokument nuk janë cenuar interesat kombëtare, as nuk është bërë tradhti”. Pse është e nevojshme një deklaratë e re nëse asgjë nuk është e rrezikuar?

Problemi është se Venko Filipçe dhe kjo garniturë e LSDM-së e humbën kredibilitetin për të folur për vijat e kuqe, pasi më herët nuk mbeti vijë e kuqe që ata nuk e shkelën. Së pari, vetë mbështetën një deklaratë që garantonte mosndryshimin e emrit, e më pas e ndryshuan. Menjëherë pas kësaj thanë “hajde në referendum për emrin”, e më pas nuk i pranuan rezultatet pasi ai dështoi. Pastaj u obliguan për një deklaratë për mbrojtjen e interesave kombëtare para kërkesave bullgare – diçka që e propozoi VMRO-DPMNE – dhe në pjatë sollën propozimin francez, ndërsa Filipçe e mbronte se ky ishte opsioni më i mirë për shtetin.

Njëkohësisht këtu ka edhe një hipokrizi. Nga njëra anë Filipçe rrethohet me disa vija të kuqe, e nga ana tjetër thotë se ndryshimi i Kushtetutës, ashtu siç është i përfshirë në propozimin francez, është gjëja më e mirë për shtetin. Atëherë pse i duhen vijat e kuqe? Dua të them se nuk mund të jesh edhe komit edhe jeniçer në të njëjtën kohë. Partia e tij gjendet në një gjendje tërësisht pa ide dhe këtë ide të tijën e shoh si një përpjekje për të imponuar një temë që do të tërhiqte vëmendje. Por kot. Ja, e ftoj me padurim t’i shohim vijat e tij të kuqe.

Deklarata e Filipçes se “e kanë pranuar propozimin francez sepse i tillë ka ardhur i përgatitur nga BE-ja dhe ka qenë e qartë se nuk do të kemi tjetër shans” nuk flet mirë për diplomacinë tonë. A mund të ndërtohet pozitë shtetërore në stilin “jep ç’të japësh”, ose me propozimin “nëse ndodh veto e re, t’i ndërpresim negociatat me BE-në”?

Nuk mendoj se as pranimi “en bloc” i propozimit francez, as ndërprerja e negociatave me BE-në është zgjidhje e mirë për të ardhmen e shtetit. Për mua kjo është kapitullim dhe e papërgjegjshme para qytetarëve. Detyra jonë është të luftojmë për pozitat tona shtetërore dhe t’i bindim se është e domosdoshme që dialogu të jetë rrugë dykahëshe. Që nëse na kërkohet diçka, atëherë edhe Bullgaria duhet të japë diçka. Ata duhet t’i përmbushin detyrimet e tyre në përputhje me konventat evropiane dhe botërore për mbrojtjen e të drejtave të pakicave. Në atë frymë, është e domosdoshme të sigurohet edhe një vend për përfaqësuesin e pakicës maqedonase në Këshillin për të Drejtat e Pakicave, ashtu siç është e përcaktuar me standardet ndërkombëtare dhe parimet e barazisë, ndërsa ne të mbrojmë interesat tona. Përndryshe, shumë e lehtë është të nënshkruhet diçka për të cilën më vonë mijëra qytetarë do të durojnë pasoja me dekada, ose të ndërpriten negociatat pa u përpjekur të ofrojmë një të ardhme për fëmijët tanë. Prandaj duhet të sillemi me përgjegjësi dhe pjekuri për qëllimet që duam t’i arrijmë.

A vazhdojnë përpjekjet diplomatike që procesi integrues të bëhet më i parashikueshëm?

Absolutisht. Ai duhet të jetë më i parashikueshëm, por edhe më i vlerësuar për përpjekjet që i bëjmë si shtet. Vendi u lodh nga përgëzimet boshe. Ne i bëjmë reformat e nevojshme dhe këtu nuk mbetemi prapa. Por, nëse përmbushim kërkesat e shteteve të tjera anëtare, atëherë duam të dimë çfarë fiton Maqedonia nga kjo. Nëse asgjë tjetër, përvoja na e mëson këtë. Ndërruam emrin, por nuk morëm asgjë. Prandaj mendoj se është e nevojshme të fitojmë siguri nga Bashkimi Evropian, sepse me të drejtë shumë qytetarë zhgënjehen nga standardet e dyfishta që zbatohen në rastin tonë. Dhe duhet të marrim garanci për të ardhmen tonë evropiane.

Me opozitën nuk mund të pajtoheni as rreth parametrave në ekonomi. Çdo përqindje e rritjes në një sferë të caktuar has në demante, kritika… A bëhet fjalë vetëm për një kritikë opozitare rutinë apo qasja “pas nesh – përmbytje” është më i fortë se shtysa që vendi të ecë përpara, pavarësisht kush është në pushtet?

Thashë se problemi qëndron te kredibiliteti me të cilin ata paraqiten. Ata nuk janë njerëz të rinj, por të njëjtit që kur erdhëm ne në pushtet e kishin lënë arkën bosh. Subvencione të papaguara, paga të papaguara, llogari të bllokuara të institucioneve shtetërore dhe kaos total. Brenda një viti shlyem euroobligacionin, për 5 muaj paguam subvencionet e prapambetura, rritëm pagat në arsim, polici, kulturë dhe në një pjesë të madhe të administratës. Dy herë i rritëm pensionet. Sigurisht që kjo nuk është e mjaftueshme, por kemi rezultatin e katërt më të mirë të rritjes në Evropë – rritje të prodhimit industrial, eksportit dhe BPV-së. Kemi gjallërim në turizëm dhe rekord për vitin e kaluar sa i përket investimeve të huaja. Por, që të ndihen më shumë para te populli, nevojitet pak më shumë kohë edhe viti i ardhshëm do të jetë vit i zhvillimit ekonomik dhe me më shumë para. Vetëm për një vit e gjysmë vumë në përdorim: segmentin Gradsko – Farish prej 25,7 km, segmentin Stracin – Kriva Pallankë prej 25,5 km, segmentin Vërbjani – Botun prej 20 km. Këto janë 70 kilometra rrugë të reja. Me këtë segment nga Kërçova – Ohër, shifra arrin në 87,5 kilometra. E di që kundërshtarët tanë kanë kritika të thata pa argumente reale dhe për këtë shpesh shërbehen me konstruksione dhe gënjeshtra. Por prandaj i pret debakël në këto zgjedhje. Populli sheh.

Partia ka theksuar se gjatë mandatit të 42 kryetarëve tuaj të komunave, për 4 vjet janë ndërtuar/rikonstruktuar 770 kilometra rrugë dhe rrugica, 47 mijë metra ujësjellës të rinj, mbi 90 mijë metra rrjet kanalizimi, janë rikonstruktuar 400 shkolla, 280 terrene sportive dhe kënde lojërash për fëmijë dhe shumë arritje të tjera. Me një bilanc të tillë, çfarë rezultatesh prisni në tetor?

Pres rezultat më të mirë për ne se sa në zgjedhjet lokale të kaluara dhe fitore bindëse. Një fitore e tillë për ne është para së gjithash përgjegjësi dhe do të bazohet në punën tonë. Kemi vit pa asnjë skandal në vetëqeverisjen lokale, me shumë borxhe të vjetra të shlyera në komunat që ishin të bllokuara, me shumë projekte të reja të nisura, por edhe një qasje ndryshe ndaj zgjidhjeve – probleme që zgjidhen bashkë me qytetarët. Është rrëzuar barriera që për dekada ekzistonte mes qytetarit dhe politikanit. Kryetarët e komunave të VMRO-DPMNE-së mund t’i shihni në parqe, në kantierë, në lagje, në rrugë – të qasshëm për popullin. Ballë për ballë të bisedoni, të debatoni, të kritikoni. E di se nuk mund të zgjidhen të gjitha problemet, as që e kemi premtuar këtë, por përpiqemi me të gjitha forcat të zgjidhim sa më shumë që mundemi dhe të mos harrojmë as për një çast gjithçka që kemi premtuar. Gjithë kjo është arritur në kushte të krizës së rëndë ekonomike dhe politike, të një lufte të ashpër dhe obstruksioneve nga pushteti qendror. Prandaj besoj se këta njerëz janë zgjedhja e duhur për të ardhmen tonë të përbashkët.

Shtatë vjet keni qenë në opozitë. Pas një viti në pushtet dhe pasi e patë pasqyrën për gjendjen reale të vendit, të themeleve, problemeve dhe nevojave të tij – cila është porosia që ia përcillni qytetarëve?

Jemi përballur me sfida, kemi kaluar nëpër kriza dhe sprova, por shteti gjithmonë është ngritur përsëri në këmbë. Kjo është dëshmi se forca nuk qëndron tek institucionet apo politika vetvetiu, por tek populli që beson në vendin e vet. Prandaj sot, më shumë se kurrë, është e nevojshme të mbetemi të bashkuar. Maqedonia ka kapacitet të jetë një histori suksesi – nëse së bashku e shtyjmë përpara. Të ndërtojmë ekonomi që hap mundësi, shoqëri që shpërblen punën dhe shtet që ruan dinjitetin e çdo njeriu. Dhe prandaj sot porosia është e thjeshtë dhe e fuqishme – do t’ia dalim. Do t’ia dalim nëse jemi të bashkuar, nëse besojmë te njëri-tjetri dhe nëse nuk kemi frikë të ëndërrojmë ëndrra të mëdha për Maqedoninë. Do t’ia dalim sepse ky vend ka popull punëtor, rini që sjell energji dhe traditë që jep forcë. E ardhmja jonë nuk është në dyshime, por në besimin e sigurt se mundemi më shumë.

Mgid