Mickoski: Populli ka përshtypjen se ata që fitojnë në mënyrë të pandershme nuk përgjigjen, por unë ju premtoj – nuk do të ketë mëshirë për askënd, tani ose pak më vonë drejtësia është e pashmangshme dhe do t’i arrijë

“Në momente të tilla duhet të flasim drejtpërdrejt dhe hapur, prandaj dua të kujtoj një dështim të madh që si shtet e kemi gati tre dekada e gjysmë ekzistencë të shtetit të pavarur maqedonas. E kjo është ndjenja e zhgënjimit nga sistemi. Kjo mund të shihet edhe në imazhin kolektiv për gjendjen e një kombi nëpërmjet përditshmërisë, madje edhe në rrjetet sociale. Shumë zemërim, urrejtje e grumbulluar, fyerje të vazhdueshme, shpifje, grindje dhe mesazhe të këqija”, tha kryeministri Hristijan Mickoski sot në fjalimin e tij me rastin e 8 Shtatorit – Ditës së Pavarësisë.
Kryeministri Mickoski thekson se arsyet për një zhgënjim të tillë te qytetarët janë mbi të gjitha për shkak të shembujve që kanë dhënë elitat politike gjatë gjithë këtyre viteve.
“Arsyet për një zhgënjim të tillë te qytetarët janë para së gjithash për shkak të shembujve që kanë dhënë elitat politike gjitë këto vite. Dhe në këtë fjalim timin nuk dua të flas për përplasjet partiake, as nuk është qëllimi im të shoh nëpër prizmin e betejave partiake, por flas për pozicionet shtetërore dhe analizat që duhet t’i kenë të gjithë përgjegjësit në udhërrëfyesit e tyre politikë. Ajo pakënaqësi nga sistemi është mbi të gjitha për shkak të udhëheqjes së padrejtë të politikave, të tranzicionit të errët, krimit shumë të fortë që gërryente çdo pore të fortë të kësaj shoqerie tonë, padrejtësive që i shihnin, faktit që shumë veta e udhëhiqnin shtetin dhe vendosnin për fatet e të tjerëve, e njëkohësisht ishin pjesë e kancerit kriminal që gërryente shtetin dhe i qeshte në fytyrë drejtësisë”, tha ai dhe shtoi:
“Ndaj është krijuar përshtypja se ata që fitojnë padrejtësisht, nuk përgjigjen dhe nuk shkojnë në burg. Kjo duhet të ndryshojë, dhe drejtësia nuk duhet të bëjë dallime se kush nga ku vjen, kush nga cila parti është dhe sa para ka, por vetëm nëse ka shkelur ligjin apo jo, nëse ka kryer krim apo jo. Edhe ata që mendojnë ose paraqiten si të mbrojtur nga përgjegjësia duhet ta dinë – herët ose vonë, drejtësia është e pashmangshme dhe do t’i arrijë. Nuk do të ketë mëshirë për ata që e vjedhin popullin. Është e thjeshtë. Të gjithë ne duhet të sillemi kështu – në mënyrë jo-selektive, të drejtë ndaj të gjithë dhe të krijojmë shembull të përgjegjësisë kolektive shoqërore për fatin e përbashkët”
Mickoski porositi se shteti duhet të ecë përpara, duke theksuar se të gjithë ne duhet të kontribuojmë.
“E kotë është lumturia ime personale nëse fqinji im është i palumtur. E kotë është nëse unë jam i kënaqur, e të gjithë rreth nesh përballen me probleme. Varet nga ne, dhe tani shumë më tepër se kurrë më parë… ose do t’ia dalim, tani dhe këtu, ose nuk kemi më shanse. Dhe unë ju them – do t’ia dalim! Me patjetër duhet t’ia dalim. Për atë qëllim jap çdo atom të energjisë. Nuk kam ardhur deri këtu që ta turpëroj veten, familjen time e më pas edhe ju. Nuk kam ardhur këtu për të bërë pasuri apo emër. Kam ardhur për të lënë gjurmë për bashkëqytetarët e mi, së bashku të krijojmë të ardhme për fëmijët e mi, për fëmijët tanë”, theksoi kryeministri Mickoski.
“Që nga dita e parë që mora përgjegjësinë për ta udhëhequr Qeverinë, deri sot nuk harroj të shoh popullin fort dhe hapur, t’i shtrëngoj duart shumëkujt që kontribuon shumë për shtetin. Ato duar të lodhura janë ajo që jemi ne. Ato na ushqejnë, ato e mbajnë barrën nga e cila të gjithë ne së bashku duhet të marrim pjesë. Dhe këtu duhet të sillemi pa egoizëm dhe të kontribuojmë. Atdheu ynë ka të ardhme, dhe të gjithë ne duhet të kontribuojmë. Të flasim qartë për gjërat që janë kërcënim për shoqërinë tonë”, theksoi Mickoski.