Kryeministri Hristijan Mickoski nga komuna e Bërvenicës i dërgon të fala liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, përmes gazetarit të TS, Rami Mislimit.
“Të fala Aliut”, i thotë Mickoski gazetarit Rami Mislimi, duke përsëritur dy herë përshëndetjen, në një ton miqësor që ka ngjallur diskutime në skenën politike.
Nga ana tjetër, përflitet se marrëdhëniet mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së po zbuten, në emër të stabilitetit politik dhe interesave të vendit. Kjo vjen në një kohë kur kryeministri Mickoski thuhet se po i kthen shpinën koalicionit VLEN, pas humbjeve të ndjeshme që ky koalicion ka pësuar në mbështetjen e shqiptarëve.
Ndërkohë, Mickoski ka kritikuar sot publikisht kryetarin e Tetovës, Bilall Kasami, duke e akuzuar për lojëra nacionaliste që, sipas tij, nuk i shërbejnë qytetarëve të Tetovës, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, qofshin ata maqedonas, shqiptarë apo romë.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 18 tetor, dhe VLEN po përgatitet të garojë në disa komuna në emër të VMRO-së. Megjithatë, sinjalet nga Mickoski tregojnë se ai po distancohet nga ky bashkëpunim./TS/