Të paktën 12 ushtarë pakistanezë janë vrarë dhe katër të tjerë janë plagosur gjatë sulmit të kryer nga grupi militant Tehrik-e Taliban Pakistan (TTP), në zonën Bar të Vaziristanit të Jugut më 13 shtator, tha ushtria pakistaneze.

Ushtria e Pakistanit tha se trupat e saj ishin duke kryer operacione kundër militantëve kur u përballën me një kundërsulm.

Zyra për media e ushtrisë e konfirmoi incidentin, por përmes një deklarate tha se ka vrarë 13 militantë gjatë operacionit.

Një zyrtar i lartë policor në atë zonë, që foli në kushte anonimiteti për Radion Mashaal të Radios Evropa e Lirë konfirmoi sulmin ndaj një automjeti ushtarak në zonën Badar Fakir Sarai.

TTP-ja, që njihet edhe si talibanët pakistanezë, mori përgjegjësinë për sulmin. Zëdhënësi i grupit militant, Muhammad Khurasani tha se 30 ushtarë u vranë.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur të konfirmojë në mënyrë të pavarur këto pretendime.

Talibanët pakistanezë janë grup i veçantë nga talibanët afganë, edhe pse kanë një aleancë të ngushtë.

Që kur talibanët afganë morën kontrollin në Kabul më 2021, TTP-ja ka fituar besim dhe shumica e udhëheqësve dhe luftëtarëve kanë gjetur strehim përgjatë kufirit me Afganistanin.

Islamabadi akuzon qeverinë e talibanëve në Afganistan se u ofron strehim talibanëve pakistanezë, me mbështetje nga India – një akuzë që ka rritur tensionet si në Kabul ashtu dhe në Nju Delhi, që i hedhin poshtë akuzat.

Ky sulm vjen një tjetër sulm të ngjashëm më 12 shtator në Lover Dir, në Kiber Pakhtunkva, kur militantët vranë shtatë ushtarë të korpusit kufitar dhe plagosën 13 të tjerë, sipas policisë lokale dhe një zyrtari të inteligjencës.

Operacionet e sigurisë kundër militantëve janë intensifikuar kohët e fundit në Kiber Pakhtunkva, pas sulmeve të shpeshta të militantëve që kanë për shënjestër ushtrinë e Pakistanit dhe forcat paramilitare.

Më 11 shtator, ushtria pakistaneze njoftoi se kishte vrarë 19 militantë gjatë operacioneve në distriktet Momand, Vaziristan Verior dhe Banu./REL

Mgid