Më 27 dhe 28 shtator 2025, në Strugë u mbajt Konferenca e Shtatë Ndërkombëtare
“EduConference”, e cila mblodhi mbi 350 mësues dhe ekspertë të fushës së arsimit dhe
teknologjisë.
Tema bosht e këtij edicioni ishte: “Unlocking AI: Innovate, Integrate, Inspire!”, me fokus në
përdorimin e inteligjencës artificiale në procesin e përditshëm arsimor.
Nën mentorimin e Prof. Dr. Lulzim Mehmedi dhe Mr. Sc. Puhiza Iseni, studentja Yllka Rexhepi
prezantoi punimin me titull “Përdorimi i kufjeve të realitetit virtual në klasa: eksplorimi i shkencës,
historisë dhe krijimtarisë te studentët”. Ajo demonstroi një model praktik të syzeve të realitetit
virtual, të punuara nga vetë ajo, si mjet modern mësimor për të rritur angazhimin e nxënësve dhe
për të përmirësuar rezultatet e tyre.
Ky prezantim ngjalli interes te mësimdhënësit, disa prej të cilëve patën mundësi t’i testojnë vetë
syzet virtuale. Njëkohësisht, u shfaq interes për organizimin e punëtorive praktike nga Fakulteti
Pedagogjik, me qëllim aftësimin e mësimdhënësve për punimin praktik, përdorimin dhe zbatimin e
këtyre mjeteve në procesin mësimor.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, Dekani i Fakultetit Pedagogjik i UT-së, Prof. Dr. Lulzim
Mehmedi, theksoi se fakulteti ndjek me kujdes trendet bashkëkohore të arsimit, duke i harmonizuar
programet studimore me zhvillimet globale dhe me nevojat e tregut të punës. Ai potencoi se
pjesëmarrja e studentes në këtë konferencë është një dëshmi konkrete e angazhimit të Fakultetit
Pedagogjik për të përgatitur studentë me kompetenca moderne dhe në hap me kohën. Sipas tij,
realiteti virtual po shndërrohet në një vegël të fuqishme edukative, që u mundëson nxënësve të
eksplorojnë konceptet shkencore në mënyrë interaktive dhe vizuale, të udhëtojnë, të vizitojnë, të
krijojnë e të ndërtojnë, duke e bërë procesin e të nxënit më kuptimplotë, motivues dhe
bashkëpunues.
Gjatë konferencës, pjesëmarrësit patën mundësi të ndjekin ligjërata të ligjëruesve dhe ekspertëve
ndërkombëtarë e vendorë mbi inteligjencën artificiale, si dhe prezantime të shumta mbi zbatimin
praktik të saj në procesin mësimor.
Konferenca u organizua nga Organizata Joqeveritare “Miqtë e Arsimit” (Friends of Education),
ndërsa Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës, në bashkëpunim me fakultetet tjera
pedagogjike në vend, mori pjesë si partner institucional.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com