Dy të pandehurit për ryshfet prej 20.000 eurosh, Muhsin Arifi dhe Blerim Amiti, deklaruan sot se nuk ndihen fajtorë për veprat penale që u ngarkohen.

Sipas aktakuzës, Arifi kërkoi përfitim material prej 20,000 eurosh për të mundësuar shtrimin në spital të një pacienti në gjendje të rëndë shëndetësore. Amiti, i cili më parë e njihte dëshmitarin, ofroi të ndërmjetësonte dhe mori shumën e parave, gjatë së cilës u kap në vend nga policia.

Prokurorja Iskra Haxhi Vasileva theksoi në fjalën e saj hyrëse para gjykatës se rasti është një shembull i korrupsionit të rrënjosur thellë në shoqëri.

“Përmasat dhe intensiteti i korrupsionit janë aq të thella sa na kujtojnë se ato ndikojnë në çdo sferë të jetës sonë”, tha ajo.

Sipas saj, kjo është një kërkesë e drejtpërdrejtë dhe e papërpunuar për ryshfet nga drejtori – një shumë që ishte objekt negociatash, dhe në fund u pranua si minimale për të kryer një veprim zyrtar që përndryshe duhej të kryhej pa kompensim.