Mungesa e librave shkollorë mbetet problem i përvitshëm në shkollat e vendit. Nxënësit shpesh përballen me libra të dëmtuar rëndë, të papërdorshëm ose të paplotë, ndërsa prindërit detyrohen të gjejnë zgjidhje alternative, duke i printuar vetë librat për fëmijët e tyre.

“Në këtë rast ne kemi libra shumë të dëmtuar, shumë të përdorur dhe jo funksionalë. Është një barrë shumë e rëndë për prindërit që sot t’u blejnë librat vet për fëmijët e tyre. Ministria duhet t’i furnizojë me libra origjinale, jo kopje. Ky është një defekt në ministri, që tregon se diçka nuk funksionon në sistemin e arsimit në këtë shtet,” tha një prind për TVM2.

Një tjetër prind apeloi për zgjidhje të qëndrueshme:
“Ministria e Arsimit është e obliguar që me libra të rinj dhe funksionalë të mësojë çdo nxënës i shkollës fillore dhe të mesme e jo të mungojnë librat. Bëj apel që ky problem të zgjidhet njëherë e përgjithmonë, e jo çdo gjeneratë të përballet me të njëjtën gjë.”

Edhe vetë nxënësit konfirmojnë se detyrohen të fotokopjojnë libra:
“Libra nuk na ka ndodhur të blejmë, por të fotokopjojmë po. Ka dy lëndë, librat e të cilave i fotokopjojmë më së shumti,” tha një nxënës.

Problemin e njeh edhe një pronar librarie në Çarshinë e Shkupit, i cili thekson se shitja e librave është ndaluar me ligj, por nxënësit kërkojnë shpesh fotokopjime për shkak të mungesës së faqeve në librat ekzistues.

“Prej se Qeveria ka sjellë ligj për furnizimin e nxënësve me libra nga ana e saj, nëpër librari është e ndaluar të shiten libra. Nuk ka rrugëdalje tjetër, prandaj nxënësit i fotokopjojnë, sepse shpesh prej librit mungojnë disa faqe ose gjysma e tij,” tha ai.

Përballë mungesës së librave dhe rritjes së shpenzimeve për pajisje shkollore, prindërit dhe nxënësit mbeten të detyruar të improvizojnë, ndërsa presin nga institucionet një zgjidhje përfundimtare.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com