Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, sot mori pjesë në sesionin e parë të punës të Takimit joformal të ministrave për Çështje Evropiane i cili po zhvillohet në Kopenhagë, në kuadër të Kryesimit danez me Këshillin e Bashkimit Evropian. Sesioni ishte i dedikuar rëndësisë së kritereve të Kopenhagës dhe integrimit gradual si instrument për përshpejtimin e procesit të zgjerimit. Në adresimin e tij, ministri Murtezani potencoi se rruga e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian nuk është proces teknik i harmonzimit, por domosdoshmëri strategjike për stabilitetin dhe sigurinë e tërë kontinentit. Ministri gjthashtu rikujtoi se më shumë se dy dekada pas premtimit nga Selaniku, perspektiva evropiane e rajonit nuk duhet të mbetet projekt i papërfunduar, sepse çdo vonesë e re jo vetëm që e cenon kredibilitetin e Unionit, por edhe e dobëson rolin e tij strategjik në mjedis gjeopolitik jashtëzakonisht të pasigurt.

Murtezani theksoi se kriteret e Kopenhagës duhet të mbeten udhërrëfyes i procesit dhe se Maqedonia e Veriut është plotësisht e përkushtuar në implementimin e tyre. “Për ne ato nuk janë vetëm kushte, por gjuhë e demokracisë dhe garancës se progresi ynë do të matet sipas standardeve të drejta dhe objektive, dhe jo sipas pengesave dypalëshe të cilat nuk i përkasin thelbit të idesë evropiane,” u shpreh ministri Murtezani. Ai iu referua edhe konceptit të integrimit permanent, duke vlerësuar se ai nuk është zëvendësim për anëtarësim, por urë e cila mbron besueshmërinë e procesit derisa të përmbyllet me anëtarësim të plotë.

Murtezani potencoi se përfitimet e kësaj politike tashmë po ndihen përmes pjesëmarrjes së studentëve në programin Erasmus, qasjes në Zonën e Vetme të Pagesave në euro dhe integrimit në rritje në tregun e vetëm. Por, ai theksoi se procesi duhet të thellohet përmes përfshirjes graduale në Semestrin Evropian, në mekanizmat për sundimin e ligjit, në agjencitë dhe programet e Unionit, si dhe përmes bashkëpunimit më të fuqishëm në fushën e politikës së përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes.

Murtezani poashtu potencoi se Maqedonia e Veriut paraqitet me besim dhe me përcaktim të qartë se e ardhmja e rajonit është në Bashkimin Evropian. Gjithashtu u shpreh se procesi i zgjerimit nuk duhet të shihet si zgjerim formal i kufijve, por si përmbyllje e tërësisë evropiane, që e bën Unionin Evropian më të fuqishëm, më stabil dhe më rezistent. Në këtë kontekst, ai theksoi se rruga evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor është pjesë e pandashme e sigurisë dhe besueshmërisë së kontinentit, ndërsa përkushtimi ndaj kritereve të Kopenhagës mbetet garancë më e fuqishme që kjo rrugë do të hapërojë në drejtimin e duhur.