Bota e modës është në zi. Shtëpia e modës Armani ka njoftuar të enjten se ka ndërruar jetë stilisti i madh italian, Giorgio Armani.

“Me pikëllim të pafund, Grupi Armani njofton ndarjen nga jeta të krijuesit, themeluesit dhe forcës së palodhur që qëndronte pas tij: Giorgio Armani.”, thuhet në deklaratën e kompanisë.

Armani ndërroi jetë në moshën 91-vjeçare. Ai ishte sinonim i stilit modern italian dhe elegancës, duke arritur të ndërthurte mjeshtërinë e dizajnit me aftësinë e një biznesmeni. Falë punës së tij, kompania arriti një qarkullim vjetor prej rreth 2.3 miliardë eurosh (2.7 miliardë dollarë).

Prej kohësh ai kishte probleme shëndetësore dhe në qershor u detyrua të mungonte në sfilatat e grupit gjatë Javës së Modës për Meshkuj në Milano – për herë të parë në karrierën e tij që nuk mori pjesë në një ngjarje të tillë.

I njohur me nofkën “Re Giorgio” – Mbreti Giorgio – ai kujdesej personalisht për çdo detaj të koleksioneve dhe çdo aspekt të biznesit, nga reklamat e deri tek rregullimi i flokëve të modeleve para daljes në pasarelë.

Kompania bëri të ditur se këtë fundjavë, të shtunën dhe të dielën, në Milano do të hapet një dhomë mortore për homazhe, ndërsa ceremonia private e varrimit do të mbahet në një datë që nuk është bërë ende publike.

Mgid