Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave njoftoi se ndalimi i lëvizjes në pyje dhe tokë pyjore zgjatet deri më 30 shtator 2025 dhe u bëri thirrje qytetarëve për kujdes të veçantë me qëllim parandalimin e zjarreve në hapësira të hapura.
Ministria rikujton opinionin e gjerë se edhe në periudhën që pason nuk është zvogëluar rreziku nga shfaqja e zjarreve në hapësira të hapura.
“Qytetarët duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm, pasi për shkak të temperaturave të larta rreziku i shfaqjes së zjarreve në hapësira të hapura ende mbetet i madh.
Është me rëndësi thelbësore që opinioni publik t’i kuptojë rreziqet, si dhe pasojat nga shfaqja e zjarreve në hapësira të hapura dhe me sjelljen e tij të kontribuojë në mbrojtjen dhe ruajtjen e pyjeve, pra të mjedisit jetësor, pronës dhe komuniteteve në tërësi”, thonë nga Ministria.
Për mosrespektimin e këtij ndalimi të plotë për lëvizje në pyje dhe tokë pyjore, personave fizikë të cilët do të kapen duke lëvizur në pyje dhe tokë pyjore, sipas nenit 106 të Ligjit për Pyjet, do t’u shqiptohet gjobë prej 1.500 deri 2.000 euro në kundërvlerë denar.