Hans Stimann, arkitekti që udhëhoqi rindërtimin e Berlinit pas ribashkimit, ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare.

Shoqata e arkitektëve dhe inxhinierëve të Berlinit dhe Brandenburgut konfirmoi vdekjen e Stimann.

Nga viti 1991 deri në vitin 2006, Stimann ishte drejtor i ndërtimit për Senatin, qeverinë bashkiake të qytetit të ribashkuar pas rënies së Murit të Berlinit, në vitin 1989.

“Asnjë urbanist tjetër nuk ka pasur ndikim kaq të madh në imazhin e një qyteti të madh gjerman gjatë 50 viteve të fundit”, shkruhej në një nekrologji në gazetën FAZ.

Ai luajti një rol vendimtar në rindërtimin e qendrës së qytetit, pjesë të mëdha të së cilës kishin mbetur të shkreta pas Luftës së Dytë Botërore dhe ndërtimit të Murit të Berlinit.

Stimann ishte i përfshirë në projekte madhore si ”Potsdamer Platz”, ”Pariser Platz” rreth Portës së Brandenburgut dhe zhvillimi i ”City West” rreth bulevardit të njohur tregtar ”Kurfürstendamm”.

Filozofinë e tij, e cila përfshinte përdorimin e gjerë të gurit dhe fasadave në formë rrjeti, ai e quante ”rindërtim kritik”.

”Nuk jam diktator i shijes vetëm pse kam një aftësi mjaft të mirë për të dalluar mes arkitekturës së mirë dhe asaj të keqe”, kishte thënë njëherë Stimann.

Stimann vdiq në vendlindjen e tij, Lubeck, më 30 gusht.

Mgid