Në ditëlindjen e 30-të, Mozzik rikthehet në vendin ku ka lindur në Gjermani – falënderon prindërit për sakrificat

Reperi i njohur Mozzik feston sot (e hënë) ditëlindjen e tij të 30-të, një ditë e veçantë që e ka shoqëruar me një kthim emocional në vendin ku ka lindur.
Pas plot 25 vitesh, ai së bashku me familjen dhe partneren e tij, Lotina Hazirin, është rikthyer në Bocholt të Gjermanisë, qyteti që mbart rrënjët e para të jetës së tij.
Përveç se ndau disa fotografi nga fëmijëria, Mozzik publikoi edhe një reflektim të gjatë e të ndjerë, duke treguar sakrificat e prindërve dhe emocionet që përjetoi në këtë rikthim.
Postimi i plotë (pa ndërhyrje):
“30 vjet jetë – një kthim pas 25 vitesh
Sot, në ditëlindjen time të 30-të, pas plot 25 vitesh u ktheva për herë të parë në Bocholt – vendi ku prindërit e mi jetuan, punuan dhe ku unë linda.
Ishte koha e markës gjermane, para euros. Koha kur nana dhe baba, pa letra në xhep, mbanin 2 deri 3 punë në të njëjtën kohë – vetëm që unë të rritesha i shëndoshë, vetëm që familja jonë të kishte një shpresë. Ata nuk e kursyen asnjë pikë djersë, edhe kur duart u çanë , edhe kur shpatullat u lodhën.
Në vitin 2000 u desh të ktheheshim në Kosovë. Një kthim i detyruar, por edhe një fillim i ri. Që atëherë kanë kaluar vite të tëra, e sot në Bocholt unë ndiej një përzierje emocionesh: mall që më shtrëngon, nostalgji që më kujton, dhe mbi të gjitha krenari për sakrificën e prindërve të mi.
Ky qytet nuk është thjesht një vend në hartë. Bocholt është rrënja ime, dëshmia ime se prej nga kam nisur. Dhe sot, 30 vite më pas, i përkulem me gjithë shpirt prindërve të mi – dy heronj të heshtur, që me 2-3 punë në duar e me ëndrra në zemër, më dhanë mundësinë të jem ky që jam sot”.