Në Universitetin e Tetovës sot u zhvilluan punimet e edicionit të nëntëmbëdhjetë të Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë, i cili u mbajt me temën “Dialogu kulturor mes letërsisë shqipe dhe asaj botërore”. Në kuadër të seminarit u hap edhe Panairi Mbarëkombëtar i Librit Akademik dhe Shkencor, duke sjellë botimet më të fundit nga fusha e studimeve shkencore dhe universitare.
Hapja solemne u realizua në Amfiteatrin “Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi”, ku morën pjesë profesorë, studiues e mysafirë nga vendi dhe rajoni. Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, në hapjen e punimeve të këtij edicioni theksoi se Seminari i Albanologjisë ka qenë gjithmonë një vatër ku studiues të gjuhës, letërsisë, historisë, kulturës shqiptare dhe medias bashkohen për të paraqitur, diskutuar dhe debatuar mbi çështje shkencore e kulturore që lidhen me fushën e albanologjisë.
“Ky dialog është thelbësor, sepse ai krijon ura midis traditave letrare dhe mendimit kritik shqiptar dhe atij ndërkombëtar, duke e pasuruar letërsinë tonë dhe duke e vendosur atë në hartën kulturore globale. Në këtë kontekst, dialogu midis letërsisë shqipe dhe asaj botërore shfaqet si një dimension i domosdoshëm i seminarit, duke nxjerrë në pah jo vetëm ndikimet dhe marrëdhëniet e ndërsjella, por edhe vlerën unike të letërsisë shqiptare, e cila, përmes këtij dialogu, pozicionohet dhe bëhet pjesë e diskursit letrar dhe akademik global”, deklaroi Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Duke folur për rëndësinë e Seminarit, prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Vullnet Ameti, u shpreh se gjatë viteve në Universitetin e Tetovës është ruajtur me fanatizëm dhe besnikëri të palëkundur Seminari Ndërkombëtar i Albanologjisë, për të mos krijuar vakum kulturor dhe për ta mbajtur në koherencë këtë përkushtim dhe tubim shkencor. “Jam i lumtur që ky takim mbledh jo vetëm letrarë dhe gjuhëtarë, por edhe studiues nga fusha të tjera. Sa më shumë që kalojnë vitet, aq më tepër bindem se Heideggeri kishte të drejtë kur tha: ‘Gjuha është tepër e rëndësishme për t’ua lënë vetëm gjuhëtarëve’. Këtë vit, seminari ynë udhëhiqet nga një temë që flet për rrënjët dhe krahët e kulturës sonë: Dialogu kulturor mes letërsisë shqipe dhe asaj botërore. Tema është ftesë për të parë letërsinë shqipe si pjesë të një mozaiku më të gjerë kulturor. Ajo nuk është thjesht kujtesa e një kombi të vogël, por pasuria shpirtërore e një bote të madhe. Letërsia jonë nuk mbyllet brenda kufijve gjeografikë, por hapet si një dritare ku zëri i shqipes bëhet tingull universal, dhe drita e saj ndriçon ndër kulturat e tjera të botës” – theksoi mes të tjerash Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Në vijim, drejtoresha e Seminarit të Albanologjisë, Prof. Dr. Emine Shabani, nënvizoi rëndësinë e debatit shkencor që zhvillohet brenda këtij forumi: “Seminari i sotëm ofron një platformë të vyer për të shqyrtuar pyetje të tilla: Si përfaqësohet letërsia shqipe në diskursin akademik ndërkombëtar? Cilat janë sfidat e përkthimit dhe kanonizimit jashtë kufijve gjuhësorë e kulturorë? Në ç’mënyrë autorët shqiptarë kontribuojnë në temat universale të letërsisë bashkëkohore? Jam e bindur se ky seminar do të shërbejë si pikënisje e re për thellimin e perspektivave studimore dhe për afirmimin e zërit letrar shqiptar në kontekstin global” – theksoi Prof. Dr. Emine Shabani.
Folësi kryesor, shkrimtari Bashkim Shehu, e mbajti ligjëratën me temë “Vatra dhe bota: Dialektika e kombëtares dhe e universales”, duke e vendosur në qendër marrëdhënien e letërsisë shqipe me traditat letrare botërore dhe sfidat e saj në proceset e globalizimit kulturor. Programi i hapjes solemne u përmbyll me një pikë artistike të interpretuar nga artistët Shkëlzen Pajaziti (violinë), Shkëlzen Baftijari (piano) dhe Jetmir Mehmedi (kitarë), të cilët i dhanë një dimension kulturor e emocional të veçantë këtij aktiviteti.
Seminari i vijoji punimet me sesione shkencore, tryeza të rrumbullakëta dhe prezantime studimore, duke krijuar hapësira për dialog e bashkëpunim mes studiuesve shqiptarë dhe atyre ndërkombëtarë.
Mgid