Një emër që gjithnjë e më shumë po shkëlqen në skenën e modës shqiptare, Neshat Loki, ka lansuar koleksionin e tij më të ri – një seri ekskluzive prej katër fustanash limited edition, që përfaqësojnë elegancën, finesën dhe shpirtin artistik të dizajnerit nga Tetova.
Koleksioni vjen si një kombinim perfekt i stilit modern me nuanca klasike, ku secili fustan është punuar me përkushtim të jashtëzakonshëm dhe detaje që flasin vetë. Me një numër të kufizuar të copëve, këto krijime janë të destinuara për ato që kërkojnë të veçohen dhe të jenë unike në çdo paraqitje.
“Ky koleksion është një reflektim i fuqisë dhe hijeshisë femërore – një histori e rrëfyer përmes stofrash, ngjyrash dhe linjave elegante,” – thotë vetë Neshat Loki për Tetovasot.
Fustanat janë të dizajnuar për gra që nuk ndjekin vetëm modën, por krijojnë identitet përmes saj. Ato janë idealë për evente të veçanta, mbrëmje gala apo paraqitje të paharrueshme në tapet të kuq.
Me këtë koleksion, Neshat Loki jo vetëm që forcon pozicionin e tij si një nga dizajnerët më premtues të rajonit, por gjithashtu dëshmon se Tetova ka zë në botën e modës.
Koleksioni tashmë është i disponueshëm për porosi, ndërsa interesimi ka nisur të tejkalojë pritshmëritë.