Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk ka përjashtuar sulme të mëtejshme ndaj udhëheqësve të Hamasit pas sulmit të javës së kaluar në Katar, duke thënë se ata nuk do të kenë imunitet “kudo që të jenë”.

Duke folur në një konferencë për shtyp në Jerusalem me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Marco Rubio, Netanyahu tha se çdo vend kishte të drejtë “të mbrohej përtej kufijve të tij”.

Vendimi i Izraelit për të synuar udhëheqësit e Hamasit në Katar – një aleat i ngushtë i SHBA-së – shkaktoi zemërim ndërkombëtar dhe kritika nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump. Hamasi tha se gjashtë persona u vranë, por udhëheqësit e tij mbijetuan, ka raportuar BBC, transmeton Gazeta Express.

Komentet e Netanyahut vijnë disa ditë pasi Shtëpia e Bardhë tha se Trump e kishte siguruar Katarin “se një gjë e tillë nuk do të ndodhë përsëri në tokën e tyre”.

I pyetur nëse SHBA-të kishin ndonjë përfshirje në sulm, Netanyahu u tha gazetarëve: “E bëmë vetë. Pikë.”

Në përgjigje të një pyetjeje të BBC-së nëse sulmi kishte dëmtuar marrëdhëniet e SHBA-së në rajon, Rubio tha se Uashingtoni mbante “marrëdhënie të forta me aleatët tanë të Gjirit”.

Dyshja paraqiti një front të bashkuar gjerësisht, edhe mes tensioneve të dukshme, me Rubion që vlerësoi lidhjet teknologjike dhe kulturore të dy vendeve – dhe Netanyahun duke thënë se Izraeli “nuk kishte aleat më të mirë”.

Takimi i tyre vjen ndërsa udhëheqësit arabë mbajnë një samit në një shfaqje mbështetjeje për Katarin. Kryeministri i Katarit i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare të ndalojë zbatimin e “standardeve të dyfishta” dhe të ndëshkojë Izraelin.

Mgid