13 garazhe në kate të premtuara në Çair, ZERO të realizuara – A duhet ende t’u besojmë Ganiut dhe Mexhitit?

Në “rrugën e plastikave”, aty ku duhej të ndërtohej një nga 13 parkingjet me kate të premtuara nga Visar Ganiu, sot nuk ka asgjë përveç kaosit urbanistik. Në këtë rrugë ishte parashikuar një ndërtesë e madhe parkimi me mbi 3 mijë vendparkime të reja – një zgjidhje që do të lehtësonte barrën e automjeteve dhe trotuareve të zëna shkruan tetovasot. Por nga premtimet e Ganiut dhe Izet Mexhitit nuk është realizuar asnjë parking; rezultati është zero.
Me këtë ofertë Visar Ganiu fitoi komunën e Çairit në vitin 2021. Garazhet me kate ishin pjesë e kontratës politike që ai firmosi me qytetarët. Votat i mori për ndërtimin e tyre, por ato nuk u ndërtuan kurrë. Tashmë ka mbetur shumë pak nga fundi i mandatit dhe Çairi përballet me një gjendje të rëndë parkimi.
Trotuaret janë kthyer në parkingje të improvizuara, ndërsa qytetarët detyrohen të ecin në rrugë mes makinave duke rrezikuar jetën. Ky premtim i garazheve me kate u përfol edhe në vitin 2017, kur u konfirmua publikisht nga Visar Ganiu dhe atë kohë reagoi edhe Bekim Sali në një konferencë për shtyp duke shenjestruar Visar Ganiun madje kërkoi llogari nga ai se ku kanë përfunduar milionat e parapara për garazhe. Parkime të tilla ishin premtuar te Sheshi, Skënderbeu, Sahat Kulla dhe zona të tjera transmeton Tetovasot.
Problemi i parkimit mbetet sot një nga plagët më të mëdha të Çairit. Mandatet po ikin, por premtimet kanë mbetur vetëm në letër.