Integrimi evropian, në fakt, është zëvendësim për idealet anakronike që nxitën Luftën e Parë (1912) dhe të Dytë (1913) Ballkanike, por edhe Luftën e Parë Botërore (1914-1918). BE-ja do të thotë projekt paqeje më shumë për Ballkanin sesa për pjesët tjera të Evropës.
Shkruan: Xhelal Neziri
Kur Maqedonia e Veriut shpalli pavarësinë para 34 viteve, ajo ishte në një gjendje shumë më të mirë socio-ekonomike sesa Bullgaria dhe Shqipëria. Rroga mesatare ishte dyfish më e lartë se ajo në Bullgari, trefish më shumë se në Shqipëri. Në vitet e 90’ta shpesh mund të shihje shitës nga këto dy shtete fqinje në rrugët e Maqedonisë së Veriut teksa shitnin çdo gjë: nga produktet ushqimore e deri te veglat artizanale. Edhe pse pa leje të autoriteteve, u krijuan vende të posaçme ku shitësit nga Bullgaria tregtonin prodhimet e tyre, të cilat njiheshin si “tregjet bullgare”. Në rrugica të caktuara haseshin punëtorë krahu nga Shqipëria, të cilët që nga mëngjesi prisnin se kush për çfarë do t’i angazhojë. Kishte një përshtypje se Maqedonia do të jetë vendi i parë nga rajoni që do të integrohej në BE dhe se shqiptarët etnik, – që përbëjnë një të tretën e popullësisë, – do të ishin të parët që do të anëtarësoheshin në klubin evropian.
Disa vite më vonë i tërë peizazhi ndryshoi. Në vitin 2005 Bullgaria u anëtarësua në BE pasi kaloi një reformë të thellë strukturore, e cila e bëri shtet funksional. Pas këtij viti, shitës nga Maqedonia e Veriut filluan të vërshojnë rrugët e tregjet në Pllovdiv, Bllagoevgrad e Sofje. Në vitin 2014 Shqipëria fitoi statusin kandidat për anëtarësim në BE, edhe atë nëntë vite pas Maqedonisë së Veriut. Ndërkohë sot Shqipëria ka hapur të gjitha grupkapitujt dhe ka gjasa që deri në vitin 2030 të bëhet anëtare e plotë. Rrogat mesatare janë shumë më të larta sot në Bullgari, por edhe në Shqipëri, ndërkohë që perspektiva ekonomike për këto vende duket larg më shpresëdhënëse.
Ky ndryshim pozicionesh ka bërë që afër 225.000 qytetarë të Maqedonisë së Veriut të marrin shtetësi bullgare, ndërkohë që dyfish më shumë presin pasaportën shqiptare që hap portat evropiane. Kjo i bie se pas vitit 2030 më shumë se gjysma e qytetarëve të vendit do të kenë nga dy shtetësi, gjë që do ta bënte Maqedoninë e Veriut si shtet rezervë, i ngatërruar në shumë nyje politiko-historike, të cilat e bëjnë të paperspektivë për shtetasit e saj.
Duke u nisur nga këto supozime, këto ditë realizova një mini-anketë me ndjekësit e mi shqiptarë në Facebook. Nga gjithsej 45 respondentë (një ekzemplar jo aq bindës), 36% prej tyre thanë se do të aplikonin për pasaportë shqiptare nëse Shqipëria do të bëhej pjesë e BE-së, 13% thanë se nuk do të aplikojnë, ndërsa 7% thanë se nuk kanë vendosur si do të veprojnë.
Të pyetur se si e vlerëson procesin e integrimit në BE të Maqedonisë së Veriut, duke shfrytëzuar notën më të vogël 1 dhe më të lartë 10, pjesa më e madhe i dhanë notën jokaluese. Afër 62% e vlerësuan me notat nga 1 deri më 3, kurse vetëm afër 7% i dhanë notën 10%.
Të pyetur për të njëjtën gjë për Shqipërinë, vlerësimi ishte 75% me notat më të larta nga 8-10, kurse vetëm 2% dhanë notat nga 1 deri më 3.
Pjesa që më interesoi mua personalisht ishte se si e shohin shqiptarët etnikë ngecjen e Maqedonisë së Veriut në raport me përparimin e hovshëm të Shqipërisë në BE. Vetëm 22% prej tyre e vlerësojnë si pozitive, ndërsa afër 70% e shohin si një trend negativ.
Edhe pse kjo anketë është pa ndonjë ekzemplar të besueshëm, sërish nxjerr në sipërfaqe disa të vërteta. E para është se shqiptarët etnik janë të pakënaqur me mënyrën se si kjo qeveri VMRO-VLEN i menaxhon proceset euro-integruese, duke mos zbatuar obligimet e marra nga Marrëveshja me Bullgarinë e vitit 2017 dhe nga Propozimi Francez i vitit 2022; e dyta, anketa tregon se, njësoj si maqedonasit etnik, edhe shqiptarët do të kërkojnë rrugë individuale për të qenë pjesë e BE-së, pra duke marrë pasaportë shqiptare, e cila më pastaj do t’ua hapë të gjitha mundësitë që i ofron familja evropiane; dhe e treta, pjesa më e madhe e tyre nuk mendojnë për opsione politike që do të cenonin integritetin territorial të Maqedonisë së Veriut.
Sidoqoftë, ëndrra evropiane e shqiptarëve lidhet ngushtë me idealin e tyre për të jetuar në një bashkësi pa kufij mes tyre. E njëjta ëndërr është e të gjithë popujve të Ballkanit, të cilët kanë minoritete jashtë shteteve të tyre amë. Integrimi evropian, në fakt, është zëvendësim për idealet anakronike që nxitën Luftën e Parë (1912) dhe të Dytë (1913) Ballkanike, por edhe Luftën e Parë Botërore (1914-1918). BE do të thotë projekt paqeje më shumë për Ballkanin sesa për pjesët tjera të Evropës.