Prokuroria Shtetërore sot kumtoi se ka filluar ekspertiza në fabrikën “Makprogres” në Vinicë, ku në zjarrin janë djegur një linjë prodhuese dhe dy depo.
“Një prokuror publik nga Prokuroria Themelore Publike në Koçan ka filluar ekspertizën për zjarrin që shpërtheu në fabrikën “Makprogres-Vinçini” në Vinicë. Hetimi do të vazhdojë në ditët në vijim, pasi ende ka vatra të nxehta në disa nga depot e lëndëve të para dhe produkteve të gatshme. Janë vendosur automjete të zjarrikësve për të mbrojtur stacionin e gazit, i cili nuk u përfshi nga zjarri”, informojnë nga Prokuroria.
Gjatë ditës së nesërme për ekspertizë në vendin e ngjarjes është ftuar edhe një ekspert – elektroinxhinier, janë siguruar video-incizime nga mbikëqyrja dhe po ndërmerren veprime të tjera për hetimin e incidentit.
Pas shuarjes së zjarrit, një prokuror publik ishte në vendngjarje në fabrikën “Makprogres”, por ekspertiza nuk mundi të fillonte sepse zjarri nuk ishte shuar plotësisht.
Zjarri në fabrikën për prodhime konditore në Vinicë shpërtheu të shtunën në orën 18:40. Përveç zjarrfikësve nga Vinica, në shuarjen e zjarrit u përfshinë edhe zjarrfikës nga disa komuna fqinje.
Menaxhmenti i kompanisë, nëpërmjet një deklarate për opinionin falënderoi të gjithë ata që morën pjesë në shuarjen e zjarrit dhe njoftoi se fabrika do të rindërtohet, dhe punonjësit do të kthehen në punë.