Urim Saliu

U ndala me veturë tek vizat e bardha, pranë Pazarit, dhe trishtimi më pushtoi mendjen. Në atë udhëkryq fatesh, pashë një vajzë të vogël, ulur, me sytë ngjyrë qielli. Ajo priste nga dikush t’i jepte diçka. Ishte shqiptare. Aty kuptova edhe një herë se sa poshtë kemi rënë.

Shikimi i saj i humbur më tregonte ëndrrat e një fëmije që do vetëm ato gjëra që kanë fëmijët e tjerë. Por ajo ndodhej në një ditë të ftohtë vjeshte, ulur mbi betonin e ashpër, në stacionin më të trishtueshëm të një fëmijërie – aty ku uria mund të të marrë edhe jetën.

Nuk kishte celular, nuk ndiqte rrjete sociale për të dëgjuar premtimet e kandidatëve të qytetit të saj. Ishte e dobët, e harruar, e braktisur. Nuk dihej kur kishte buzëqeshur për herë të fundit, as kur kishte ngrënë për herë të fundit.

Në heshtje kërkonte vetëm pak ushqim. Pamja e saj fliste vetë, pa pasur nevojë për fjalë. Ajo ishte një nga qindra personazhe të heshtur që shtohen përditë në listën e varfërisë së qytetit tim, ku jeta vazhdon të flasë, ndërsa vdekja pret matanë, gati për t’ia marrë me vete skamnorët.

Mgid