Bujar Osmani, kandidat për kryetar të Komunës së Çairit, sonte u takua me të rinj nga komuna, duke përcjellë një mesazh të qartë e të paekuivok.
“Çairi duhet të dalë nga mentaliteti 20-vjeçar i qeverisjes që, sipas tij, e ka sjellë komunën në kaos”. Takimi, që ishte pjesë e fushatës së tij në terren, u shndërrua në një bisedë thelbësore për të ardhmen e Çairit, ndërsa Osmani e shfrytëzoi ngjarjen për të vendosur dallimet kryesore mes tij dhe pushtetit lokal të deritanishëm.
“Të gjithë e dimë se komuna jonë duket kaotike”, filloi Osmani, duke theksuar problemet reale që i përjetojnë çdo ditë banorët e Çairit, nga rrugët e bllokuara, mungesa e parkingjeve dhe deponitë, deri tek shkollat e pasigurta dhe kaosi urbanistik i krijuar nga ndërtimet pa leje. Sipas tij, të rinjtë moti e kanë humbur ndjenjën e perspektivës në komunën e tyre, dhe kjo është rezultat i drejtpërdrejtë i premtimeve të pambajtura dhe abuzimit personal të pushtetit nga të njëjtët njerëz për dy dekada me radhë.
Momenti kyç i fjalimit ishte dallimi politik që bëri Osmani.
“Oferta e kundërshtarëve, e cila 20 vite ka qenë pjesë e problemit të Çairit, nuk mund të jetë zgjidhja. Nëse 20 vite ke qenë pjesë e problemit, nuk mund sot të paraqitesh si zgjidhje”.
Në paraqitjen e tij dominoi shtysa për ndryshim, por jo deklarativ, por sistematik, i bazuar në dije dhe përvojë. Siç theksoi, ai nuk vjen në Çair me karrierizëm politik, por me mision për të zgjidhur problemet në terren. Ai iu referua përvojës së tij si mjek dhe ish-ministër, duke vënë theksin tek disiplina, analiza dhe puna si bazë e politikës që do të ndjekë.
“Si mjek kam mësuar se problemet zgjidhen me diagnozë të saktë dhe terapi konkrete. Si ministër dhe kryesues me OSBE kam mësuar se besimi ndërtohet me rezultate dhe punë të ndershme”.
Interesante ishte edhe dimensioni personal i paraqitjes. Osmani ndau se muajt e kaluar, duke vendosur për kandidaturën, çdo ditë është zgjuar në orën 5 të mëngjesit për të dalë në terren dhe për t’i parë personalisht problemet. Me këtë, ai përcolli mesazhin se nuk vjen me fraza të gatshme, por me analizë të thellë dhe vullnet për t’u përballur me sfidat.
Në kritikat nga kundërshtarët se është “shumë për Çairin”, se i takon “politikës së lartë”, ai u përgjigj me një kujtesë dinjitoze se e gjithë karriera e tij ka qenë në shërbim të njerëzve, pavarësisht nëse ka qenë në funksionin më të lartë shtetëror apo në komunitetin lokal.
Me këtë takim, Osmani jo vetëm që prezantoi qasjen e tij, por edhe vendosi një kornizë të qartë për betejën zgjedhore: ajo nuk do të zhvillohet vetëm për pozita, por për modelin e qeverisjes.
Mesazhi i tij për të rinjtë ishte një thirrje për veprim: “Unë jam një njeri që do sfida, e Çairi është sfida ime e re që mezi pres ta pranoj së bashku me ju”.