“Çairi nuk guxon të jetë qytet i frikës. Çairi nuk guxon të jetë komunë e frikës. Çairi duhet të jetë simbol i sigurisë dhe i dinjitetit,” theksoi kandidati për kryetar të komunës së Çairit, Bujar Osmani, duke prezantuar vizionin e tij për rikthimin e besimit tek qytetarët.
Ai nënvizoi se rrugët e errëta dhe lagjet e pasigurta janë një nga arsyet kryesore të frikës dhe pasigurisë. “Rreth 20 për qind e dritave në Çair nuk funksionojnë, dhe shumë rrugë mbeten në errësirë. Njerëzit më thonë çdo ditë se në mbrëmje kanë frikë të dalin. Gratë veçanërisht, por edhe fëmijët. Kjo duhet të ndryshojë,” tha Osmani.
Si masë të parë madhore, ai paralajmëroi zëvendësimin e plotë të sistemit të ndriçimit publik me drita moderne LED, të cilat do të ofrojnë dukshmëri më të mirë, do të rrisin ndjenjën e sigurisë dhe do t’i ulin shpenzimet. “Do të vendosim një qendër inteligjente për kontroll në distancë. Çdo defekt do të zgjidhet menjëherë. Nuk do të ketë më rrugë të errëta në Çair,” theksoi Osmani.
Masa e dytë është futja e policëve me biçikleta, të cilët do të patrullojnë çdo ditë nëpër rrugë dhe lagje. “Policia duhet të jetë afër qytetarëve. Policët me biçikleta do të krijojnë besim dhe ndjenjë mbrojtjeje të vazhdueshme. Në këtë mënyrë qytetarët do të ndihen të sigurt në komunën e tyre,” potencoi Osmani.
Ai shtoi se siguria do të jetë prioriteti numër një. “Çdo prind duhet të mund ta dërgojë fëmijën e vet në shkollë pa shqetësim. Çdo nënë duhet të kthehet në shtëpi në mbrëmje pa frikë. Me ndriçim LED, me kamera sigurie dhe me policë me biçikleta, Çairi nuk do të jetë më komunë e frikës,” deklaroi Osmani.
Në përfundim, ai u bëri thirrje qytetarëve:
“Koha e pasigurisë dhe e frikës duhet të marrë fund. Me bashkëpunimin e policisë, institucioneve dhe qytetarëve, do të hapim një faqe të re për Çairin. Më 19 tetor fillon ndryshimi – ndryshimi për siguri, për dinjitet dhe për një të ardhme të qetë për çdo familje në Çair.”