Kandidati për kryetar të Çairit, Bujar Osmani, në një takim me të rinjtë theksoi se ka ardhur koha për një ndryshim të vërtetë dhe një shkëputje të plotë nga kaosi dhe mënyra e çrregullt e qeverisjes, të cilën, sipas tij, e ka udhëhequr e njëjta grupë njerëzish për dy dekada me radhë.

“Çairi sot duket i çrregullt, rrugët janë të bllokuara, nuk ka parkingje, deponitë po shtohen, ndërsa çdo metër gjelbërim është i rrezikuar nga një ndërtim i egër i ri. Prindërit thonë se shkollat nuk janë të sigurta, ju të rinjtë ankoheni se nuk ka perspektivë. Kjo është realiteti, përditshmëria jonë”, tha Osmani para sallës së mbushur plot.

Ai kritikoi kundërshtarët, të cilët, siç tha, prej 20 vitesh janë pjesë e pushtetit në Çair, ndërsa tani sërish ofrojnë zgjidhje.

“I njëjti njeri që për dy dekada krijoi kaosin, sot dëshiron të na thotë se është zgjidhja. Por të gjithë e dimë, nëse për 20 vite ke qenë pjesë e problemit, nuk mund të jesh zgjidhja sot”, theksoi Osmani.

Para të rinjve, Osmani foli edhe për motivimin e tij për t’u kandiduar, duke nënvizuar se në Çair vjen me përvojë të ndryshme dhe me një qasje të dëshmuar në zgjidhjen e problemeve.

“Si mjek kam mësuar se problemet zgjidhen me diagnozë të saktë dhe terapi konkrete. Si ministër dhe kryesues me OSBE kam mësuar se besimi ndërtohet me rezultate dhe me punë të ndershme. Këtë kapital e sjell këtu dhe do ta vë në shërbim të të rinjve dhe të gjithë qytetarëve të Çairit”, tha Osmani.

Në komentet se duhet të merret me “politikë të lartë” në vend se me atë lokale, Osmani u përgjigj: “Ata nuk kuptojnë se unë gjithmonë u kam shërbyer njerëzve. Çdo pozitë për mua është përgjegjësi dhe gjithmonë jam dhënë tërësisht. Muajt e fundit, që prej kur vendosa të kandidoj, çdo mëngjes në orën 5 jam në terren, për t’i parë dhe kuptuar personalisht problemet”, tha Osmani.

Në fund, Osmani dërgoi një mesazh të fuqishëm për të rinjtë se Çairi nuk duhet të mbetet në stagnim.

“Është koha për rregull, është koha për shumë punë, është koha për bashkim kundër kaosit dhe korrupsionit. Është koha që Çairi të ketë një lidership që nuk do t’u shërbejë interesave personale, por qytetarëve”.

Mgid