Dhoma e ulët e Spanjës ka hedhur poshtë një projektligj që parasheh shkurtimin e javës së punës me 2 orë e gjysmë, duke i dhënë një tjetër goditje qeverisë së brishtë të pakicës së udhëhequr nga socialistët.

Në votimin vonë të mërkurën, ligjvënësit e opozitës u bashkuan me partinë rajonale katalanase Junts kundër legjislacionit të mbështetur nga ministrja e Punës, Yolanda Diaz dhe sindikatat kryesore, raporton Reuters.

Megjithatë, Diaz u zotua të rikthente masën që ul kufirin e orëve javore të punës në 37 orë e gjysmë nga 40 që është aktualisht – ose gjysmë ore më pak në ditë, teksa e ka quajtur veton e Junts “të pakuptueshme”.

Junts, partia miqësore ndaj biznesit, e cila kërkon shkëputjen e Katalonjës nga Spanja, por ndonjëherë mbështet qeverinë qendrore, u bashkua me Partinë Popullore konservatore dhe Vox të ekstremit të djathtë për një shumicë prej 178-170.

Kundërshtarët argumentuan se bizneset e vogla dhe fermerët nuk do të ishin në gjendje të përballonin kostot më të larta që rrjedhin nga politika, duke çuar në humbje vendesh pune dhe duke rrezikuar shtetin e mirëqenies.

Kjo humbje parlamentare vjen teksa kryeministri Pedro Sanchez u bën thirrje partive për ta ndihmuar të miratojë një buxhet që është vonuar më shumë se dy vjet, ndërsa përpiqet të distancohet nga skandalet e korrupsionit që kanë ndjekur mandatin e tij të tretë në detyrë.

Skandalet e korrupsionit, duke përfshirë akuzat se anëtarë kyç të rrethit të tij të ngushtë morën ryshfete në këmbim të kontratave të punëve publike, kanë dëmtuar popullaritetin e Partisë Socialiste midis votuesve.

Mbështetja për socialistët ka rënë në 27.7% në shtator krahasuar me 32.3% dy vjet më parë, ndërsa partia e ekstremit të djathtë Vox është rritur në 17.4% nga 10.9% në të njëjtën periudhë, sipas një sondazhi nga 40DB për El Pais.

Mgid