E ardhmja e mesfushorit të talentuar spanjoll Fermin Lopez ka qenë e paqartë deri në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës.

Mesfushori ofensivë ishte duke u kërkuar nga skuadrat angleze, por Chelsea ishte më e vendosur për transferimin e tij.

Barcelona mendonte shitjen e lojtarit për ta rregulluar bilancin financiar, por në fund Fermin vendosi të qëndrojë në Camp Nou.

Pedri ka folur për qëndrimin e Fermin, duke thënë se bashkëlojtari i tij vendosi me zemër të qëndrojë.

“Kohët e fundit Fermin na tha se do të qëndronte dhe jam i lumtur që është me ne. Me Ferminin gjithmonë bëj shaka për shumë gjëra. E dua shumë dhe e dija që do të thoshte se do të qëndronte me ne”.

“Nuk e di nëse klubi duhej të vendoste nëse do t’i dëgjonte ofertat apo jo, por në fund të fundit ishte ai që duhej të vendoste për të ardhmen e tij dhe kjo është ajo që ka bërë. Ndoshta kishte dyshime ose kishte menduar për opsione të tjera, do ta thotë kur të dojë, por zemra e tij është me Barcën, ai e jeton këtë klub si askush tjetër”, tha Pedri.

Tutje Pedri foli edhe për Topin e Artë, duke thënë se nuk flasin shumë për të.

“Nuk flasim shumë për të në dhomën e zhveshjes sepse është ende larg, jemi të përqendruar në fillimin e ligës. Por shpresojmë të jemi në atë listë, sepse nëse disa prej nesh janë, do të thotë që vitin e kaluar patëm një sezon të mirë”.

“Shpresojmë të jemi atje edhe vitin tjetër dhe të vazhdojmë. Për çdo futbollist është një ëndërr të fitojë Topin e Artë. Është padyshim një çmim shumë i vështirë për t’u fituar. Shpresojmë që një nga ekipi ynë ta fitojë”, përfundoi Pedri.