Nuk bëhen rahat në VLEN, portali TS ka mësuar nga burime të besueshme brenda VLEN-it se ka një përplasje të madhe mes Arben Fetahut dhe Azir Aliut. Siç mëson TS, Arben Fetahu ka kërkuar nga ministri i Shëndetësisë Azir Aliu që të “shajë” Ali Ahmetin dhe BDI-në, të mos sillet si ministër i huaj, por ai nuk ka pranuar që të përdorë një fjalor të tillë ndaj kreut të BDI-së.
“Zv.kryeministri Arben Fetahu ka kërkuar nga Azir Aliu që të përdorë një fjalor më ndryshe, apo siç thonë ‘sharje’ ndaj BDI-së dhe Ali Ahmetit, por ai nuk ka pranuar, për shkak të natyrës së tij, dhe nuk do ta bëjë asnjëherë një gjë të tillë”, thonë burime të besueshme brenda VLEN-it për portalin TS.
Sipas tyre, Azir Aliu ka pranuar të udhëheqë me Ministrinë e Shëndetësisë, e jo luftën kundër BDI-së dhe Ali Ahmetit.
Nga ana tjetër, Azir Aliu publikisht e ka pranuar se ka qenë ura e komunikimit mes ASH-së dhe BDI-së, para se të largohej Arben Taravari nga qeveria. Kjo ndoshta mund të jetë edhe një nga arsyet pse Azir Aliu nuk përdor një fjalor të tillë ndaj Ali Ahmetit.
Vlen të theksohet se VLEN ka mosmarrëveshje edhe me VMRO-në, pasi ditë më parë, kryeministri Mickoski kritikoi ashpër edhe Bilall Kasamin dhe ofendoi shefin e shtabit të VLEN-it, Adnan Azizin, për çka ende nuk ka asnjë reagim në lidhje me ofendimet që u bënë nga partneri i tyre i koalicionit, gjegjësisht kryeministri Hristijan Mickoski.
Ndryshe, zgjedhjet do të mbahen më 18 tetor, dhe në anketat e fundit, si dhe në anketën e IRI-it të publikuar në portalin TS, ku AKI-ja kishte mbështetje prej 14%, ndërsa VLEN me 5%, është bërë dukshëm edhe orientimi i shqiptarëve në rrugën e besëlidhjes shqiptare, duke braktisur VLEN-in për shkak të heshtjes së tyre ndaj VMRO-së. Dhe sipas anketave, i bie që shumicën e komunave shqiptare t’i fitojë AKI-ja.