Gruaja e ish-kryeministrit të Nepalit, Jhala Nath Kanala, ka vdekur pasi u dogj e gjallë kur shtëpia e saj u vu në flakë mes protestave të dhunshme antiqeveritare në vend, raportuan mediat rajonale.

Ndërtesa e parlamentit nepalez dhe shtëpitë e udhëheqësve politikë u dogjën gjithashtu gjatë trazirave, ndërsa protestat u udhëhoqën nga të rinjtë, raporton Newsweek.

Trazirat shpërthyen kur qeveria ndaloi mediat sociale dhe ndërkohë, Presidenti i Nepalit, Ramchandra Paudel, pranoi zyrtarisht dorëheqjen e paraqitur më herët sot nga Kryeministri i vendit, KP Sharma Oli.

Ai tha se e bëri këtë për të hapur rrugën për një zgjidhje kushtetuese të krizës.

Ministri i Furnizimit me Ujë Pradeep Yadav, Ministri i Bujqësisë dhe Blegtorisë Ram Nath Adhikari dhe Ministri i Brendshëm Ramesh Lehak gjithashtu dhanë dorëheqjen.

Tre oficerë policie u linçuan pasi u dorëzuan

Protestuesit në Nepal kanë vrarë tre oficerë policie të stacionuar në Koteshwor, pasi ata ishin dorëzuar tashmë, raportoi faqja e internetit e lajmeve nepaleze Habarhub.

Sipas rrëfimeve të dëshmitarëve okularë, protestuesit fillimisht i vunë flakën selisë së policisë përpara se t’i nxirrnin zvarrë oficerët në rrugë.

Edhe pse i lanë armët, tre oficerë policie u rrahën për vdekje nga një turmë.

Selia qendrore e policisë së Nepalit në Naxal konfirmoi vrasjet, duke i përshkruar ato si një akt barbar që tregon “përkeqësimin e situatës së sigurisë në kryeqytet”.

Mgid