Shkup, 29.09.2025 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup nisi me sukses seminarin dyditor për Ndërtimin e Kapaciteteve Institucionale, një aktivitet akademik i rëndësishëm me pjesëmarrjen e profesorëve dhe ekspertëve të njohur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe rajoni, si dhe me angazhimin e stafit të plotë akademik e administrativ të UNT-së.
Në hapjen e seminarit, rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, theksoi rëndësinë e kalimit nga një sistem edukimi i bazuar në fakte në një sistem të bazuar në shkathtësi, duke nënvizuar se epoka e studentëve si “enciklopedi të gjalla” ka përfunduar. Ai vuri theksin te zhvillimi i aftësive praktike, shkathtësive të buta, mendimit kritik, kërkimit shkencor dhe inovacionit. “Universiteti ynë duhet të sigurojë që çdo student, përveç njohurive, të pajiset edhe me kompetencat që kërkon tregu i punës. Ky është misioni ynë i përbashkët,” u shpreh rektori Fetaji.
Programi i ditës së parë përfshiu tre module trajnimi, edhe atë nga Prof. Dr. Andrew Goodspeed prezantoi mbi transformimin arsimor, nga Mr. sc. Silvie Shaqiri trajtoi reformat në vlerësimin akademik, me fokus tek provimet me libër të hapur, Prof. Dr. Christina Wassenaar, Prof. Dilshad Dayani dhe Prof. Dr. Chance Meyer ligjëruan mbi rolin e Inteligjencës Artificiale në Arsimin e Lartë.
Seminari do të vazhdojë nesër me sesione të specializuara për fakultetet, ku stafi akademik do të angazhohet në analizën dhe planifikimin e kurrikulave, duke përfshirë edhe punëtorinë mbi integrimin e aftësive të punësimit dhe përfshirjen e hulumtimit shkencor si kompetencë thelbësore për studentët.
Ky aktivitet përfaqëson një hap të rëndësishëm të UNT-së drejt modernizimit të programeve studimore, rritjes së cilësisë akademike dhe përgatitjes së studentëve për tregun global të punës, duke forcuar gjithashtu lidhjet me Alumni-n dhe partnerët institucional.