Paris Saint-Germain e ka nisur në mënyrë të shkëlqyer mbrojtjen e titullit të Ligës së Kampionëve, duke shkatërruar me rezultat 4-0 Atalantën dhe duke i dhënë fund serisë prej tetë ndeshjesh pa humbje të italianëve si mysafirë në këtë fazë të garës.

Nuk u deshën më shumë se tre minuta që kampionët në fuqi të lëshonin sinjalin e parë: Marquinhos, pasi ushtroi presion ndaj Daniel Maldinit, përfitoi nga topi i fituar dhe realizoi pas asistimit të Fabián Ruiz.

Presioni i parisienëve ishte i pandalshëm në dhjetë minutat e para, me tentimet e Nuno Mendes, Senny Mayulu, si dhe goditjet e Bradley Barcola e Achraf Hakimi që u ndalën vetëm nga pritjet e shkëlqyera të portierit Marco Carnesecchi.

Në anën tjetër, Odilon Kossounou pati mundësinë e parë për Atalantën, por gjuajtja e tij përfundoi lart mbi traversë.

Edhe pse një gol i Barcola u anulua për pozitë jashtë loje, PSG nuk vonoi shumë për të dyfishuar epërsinë. Ishte Khvicha Kvaratskhelia që depërtoi mjeshtërisht drejt zonës dhe goditi fuqishëm duke mos i lënë asnjë shans Carnesecchit.

Vetëm pesë minuta më pas, PSG mund ta kishte çuar rezultatin në 3-0, por Barcola dështoi nga pika e bardhë pas një penalltie të fituar nga Marquinhos.

Atalanta provoi të ndryshonte rrjedhën e lojës me dy zëvendësime në pushim, por gjithçka ishte e kotë. Vetëm gjashtë minuta pas rifillimit, Nuno Mendes u tregua fantastik duke kaluar mbi Marten de Roon dhe shënuar nga një kënd i pamundur për 3-0.

Një lajm i hidhur për PSG erdhi nga dëmtimi i João Neves, por portieri Lucas Chevalier ndali një tentim të Nikola Krstović për të ruajtur rezultatin e pastër.

Në minutat e fundit, Gonçalo Ramos përfitoi nga një gabim i Raoul Bellanova, duke i vjedhur topin dhe shënuar me klas për rezultatin përfundimtar 4-0.

Kështu, PSG jo vetëm që vazhdon serinë e fitoreve nga Superkupa e Europës dhe Ligue 1, por jep një mesazh të fortë në Ligën e Kampionëve, duke e nisur sezonin me dominim absolut. Për Atalantën, kjo ishte humbja e parë e edicionit, pas dy barazimeve dhe një fitoreje në Serie A.

Mgid